Egli Tako ishte e ftuar së fundmi në “Goca dhe Gra” ku foli për jetën e saj të re, larg Tiranës dhe më pranë… Prishtinës! Po, pikërisht, aktorja simpatike ka konfirmuar se jeton mes dy qyteteve, por zemra e saj artistike duket se rreh fort për kryeqytetin e Kosovës.

E pyetur me ngacmim nga Egla Ceno për jetesën në Prishtinë, ajo u përgjigj:

“Po, jetoj mes Tiranës dhe Prishtinës. Më së shumti më lidh puna me Prishtinën, muzika… është dashuria ime e parë që më mban aty.”

Egli zbuloi se menaxhohet nga artistja e njohur Fifi dhe se tashmë janë jo vetëm kolege në skenë, por bashkëpunëtore të afërta në projekte artistike. Madje kënga më e fundit e Eglit, “Jetë”, mban edhe firmën krijuese të Fifit.

Egli nuk ngurroi të lajmërojë edhe se ajo dhe Fifi po përgatisin një këngë të re bashkë, që do të jetë një “baladë moderne me nota emocionale dhe grintë femërore”.