Gjatë BBV, marrëdhënia mes Laert Vasilit dhe Rozana Radit ka ngjallur interes të vazhdueshëm. Të dy janë shprehur në mënyra të ndryshme për raportin që kanë me njëri-tjetrin, duke krijuar pa dashje një sërë deklaratash që, kur vendosen në kontrast, hapin rrugë për dyshime apo kuriozitete publike.
Në një intervistë të fundit për emisionin “Jo veç kullera” nga Andale Media, Laert Vasili foli me tone të ngrohta për Rozanën, duke u shprehur se ajo është “më shumë se një motër” dhe “pjesë e familjes”. Një deklaratë që kontraston me pohimet e mëparshme gjatë qëndrimit në shtëpinë e “BBVA”, ku të dy, herë pas here, minimizonin lidhjen e tyre, duke e përshkruar si një fqinjësi të rastësishme apo një njohje profesionale të kufizuar.
“Tani, Rozanën e kam më tepër se motrën time. Rozana është pjesë e familjes”.-u shpreh ai.
Nga ana tjetër, edhe Rozana, në disa raste, ka deklaruar se është takuar me Laertin “vetëm dy herë” dhe kanë pirë “vetëm një kafe”, ndërsa në një moment tjetër ka pohuar se kanë punuar bashkë për një muaj çdo të shtunë. Këto pohime të lëkundura kanë shtuar konfuzionin, dhe për publikun e vëmendshëm, janë interpretuar si kontradiktore.
E megjithatë, përtej interpretimeve dhe analizave të fansave, një gjë është e dukshme: miqësia mes tyre ekziston dhe ka një formë afërsie që, ndoshta, për shkak të dinamikave të lojës apo vetë natyrës së formatit, është zgjedhur të mos artikulohet plotësisht gjatë spektaklit.