Shitja e biletave për ndeshjen e Kombëtares është kryer përmes një sistemi aplikimi dhe përzgjedhjeje me short, për shkak të kërkesës së lartë. Megjithatë, një deklaratë e bërë së fundmi nga ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Juliana Nura, ka ndezur debat në rrjetet sociale.
Në një prononcim publik, Nura tha se kishte siguruar biletën falë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke lënë të kuptohet se kishte përparësi personale. Deklarata e saj ka qarkulluar gjerësisht në rrjet, duke ngritur dyshime për mënyrën e shpërndarjes së biletave.
Por për të sqaruar situatën, Newsport.al kontaktoi vetë presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Nuk e njoh fare atë vajzën,” – u shpreh Duka, duke shtuar se për shkak të angazhimeve me Kombëtaren, nuk ka pasur kohë as për të përdorur telefonin personal gjatë muajit të fundit.
Sipas Dukës, pretendimet e ish-banores janë të pavërteta dhe të fryra për shkak të interesit të madh që ka krijuar marrja e një bilete për ndeshjen. Megjithëse Nura është shprehur se gëzon një popullaritet të gjerë edhe në Shqipëri, vetë situata tregon se deklaratat e saj janë më tepër pjesë e zhurmës mediatike sesa të bazuara në fakte.
Presidenti i FSHF-së ndodhet aktualisht në Riga, Letoni, në mbështetje të Kombëtares shqiptare.