Princi Harry dhe Meghan Markle kanë festuar ditëlindjen e katërt të vajzës së tyre, Lilibet Diana, në vendin më magjik për fëmijët: Disneyland. Dukesha e Sussex-it ndau në Instagram foto dhe video nga dy ditë të mbushura me argëtim, ku familja mbretërore përfshirë dhe djalin e tyre gjashtëvjeçar, Archie, duket se shijoi çdo moment.

"Faleminderit Disneyland që i dhurove familjes sonë dy ditë të mbushura me gëzim të pastër!", shkruan Meghan në përshkrimin e postimit, të shoqëruar me këngën optimiste It's a Good Day nga Peggy Lee.

Videoja nis me Lilibet, e cila e veshur me një fustan të larmishëm dhe një kapelë baseball blu me shkëlqim, mban dorën e mamit dhe e udhëheq atë nëpër parkun tematik në Kaliforni. Në një tjetër moment të ëmbël, shfaqet dhe babai Harry duke ndjekur vajzën e tij, teksa ajo takohet me një nga princeshat Disney.

Gjatë vizitës, Lilibet mori edhe një tortë ditëlindjeje të personalizuar me temën e “Sirenës së Vogël”, frymëzuar nga ngjyra e kuqe e flokëve të saj. Sipas revistës People, familja mbretërore, nën mbikëqyrjen e sigurisë, shijoi disa nga atraksionet më të dashura: Dumbo, Tiana’s Bayou Adventure, Splash Mountain dhe zonën e Star Wars.

Meghan, e cila shfaqet në foto me veshjen ikonike të Minie-t, publikoi gjithashtu një portret familjar ku fytyrat e Archie-t dhe Lilibet-it janë mbuluar me zemra, në përpjekje për të ruajtur privatësinë e tyre.

Por kjo masë nuk i kurseu kritikat. Siç raporton Page Six, shumë përdorues e kanë cilësuar të çuditshëm faktin që çifti vazhdon të flasë për privatësi, ndërsa njëkohësisht po bëhen gjithnjë e më aktivë në rrjete sociale duke ndarë momente gjithnjë e më personale.

Madje së fundmi, Meghan është vënë në qendër të vëmendjes për postimin e një videoje intime ku shihet duke kërcyer para lindjes, gjë që u komentua gjerësisht në media.

A është kjo pjesë e një strategjie të re për të rifituar simpatinë e publikut? Apo thjesht dëshira për të ndarë momente familjare? Sido që të jetë, interneti ka mendimin e vet dhe ai nuk fal.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Meghan, Duchess of Sussex (@meghan)