Vajza 20-vjeçare e Monica Bellucci-t dhe Vincent Cassel-it, Deva Cassel, është duke ndjekur gjurmët e prindërve të saj në modë, film dhe televizion. Në një intervistë për revistën 'Gen V', Deva rrëfen me ndjeshmëri ndikimin që kanë pasur Monica dhe Vincent në formimin e saj si njeri dhe artiste. “Më kanë mësuar të shikoj gjithmonë përpara, të mbroj veten. Mami më ka mësuar të jem gjithmonë e sjellshme dhe të ruaj gjithnjë ndjesinë e mrekullisë”, thotë ajo.

Këshillat e nënës nuk i kanë shërbyer vetëm në jetë, por edhe në pasarelë: “Gjërat e thjeshta arrijnë larg. Unë i përmbahem këtij parimi.”

Nuk është hera e parë që Deva flet për trashëgiminë artistike. Në një intervistë për Vanity Fair në mars, ajo tregonte me sinqeritet sfidat dhe privilegjet e të qenit “vajzë arti”:

“Ka anët pozitive dhe ato më të vështira. Prindërit e mi janë njerëz të jashtëzakonshëm që më kanë shtyrë të krijoj botën time, ta ngjyros me ngjyrat e mia. Kam pasur fatin të rritem me dy njerëz me mendje dhe zemër të hapur, por edhe në një mjedis plot stimuj, plot ritme të paparashikueshme… Në një botë të tillë, mëson herët të ngjitesh mbi mure për të zbuluar veten dhe për të gjetur rrugën tënde. Por çfarë të them… ju i shihni si Monica Bellucci dhe Vincent Cassel. Unë i shoh si mami dhe babi.”

Edhe pse të ndarë që prej vitit 2013, Monica dhe Vincent nuk e fshehin krenarinë për vajzën e tyre. Babai, Vincent Cassel, ka folur me entuziazëm për përfshirjen e Devës në serialin “Il Gattopardo”, ku lindi edhe dashuria me aktorin Saul Nanni:

“Deva, që në ditën e parë në set, dinte çfarë të bënte. Dhe pa ndjekur asnjë kurs aktrimi. Ka diçka në mënyrën se si imitonte, ndoshta në mënyrën si na ka vëzhguar neve duke punuar.”

Nga ana tjetër, Monica Bellucci, në vitin 2020, kur Deva pozoi për kopertinën e parë të saj për Elle France, publikoi fotografinë me një përshkrim plot dashuri:
“Na ishte njëherë një vajzë e vogël... Sa shpejt kalon koha! Qofsh gjithmonë e mbrojtur nga jeta, zemra ime.”