Të martën, më 10 qershor, u publikua një video e momentit kur Martin Cani, 15-vjeçari që humbi jetën pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë në nëntor të vitit të shkuar, largohet pasi është goditur me thikë.
Videoja ka ngjallur një reagim të jashtëzakonshëm në publik, ndërsa AMA ka reaguar duke kërkuar mos publikimin e saj. Ata që e kanë publikuar e kanë bërë këtë me qëllimin për të treguar më qartë se çfarë ka ndodhur dhe për të vërtetuar nëse është manipuluar e vërteta.
Në studion e Opinion, në nisje të emisionit, e ftuar ishte nëna e 15-vjeçarit, Florina Cani. Ajo foli jo vetëm për atë që ndodhi me videon dhe reagimin e familjes, por edhe për pikëpyetjet që ka familja. Bashkë me këto, u diskutua edhe për një projekt të familjes, e cila ka vendosur që shtëpinë e tyre ta hapë si një lloj muzeu në kujtim të djalit të tyre, i cili iku nga kjo jetë në një moshë shumë të re.
“Me thënë të drejtën, po mundohemi ta marrim pak veten dhe ta kthejmë dhimbjen në forcë. Dhimbja çdo ditë shtohet, por ne duam që Martinin mos ta humbim me kujtimet e tij. Gjithsesi u trondita jashtë mase shumë, tronditje e madhe psikologjike. Ne kemi falenderuar mediat që na kanë qëndruar pranë, por ishte tronditëse! Unë nuk e dija që videoja ishte e publikuar, nuk munda që ta shikoj!”