Pak ditë më parë, shtypi amerikan zbuloi se Meghan Markle dhe princi Harry kishin ftuar Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz për darkë në shtëpinë e tyre në Montecito, Kaliforni. Gjatë mbrëmjes, sipas raportimeve, djali 26-vjeçar i Victoria dhe David Beckham do të kishte folur me çiftin Sussex edhe për tensionet me familjen e tij.

Tani mësohet se Brooklyn dhe Nicola, për të menaxhuar reputacionin e tyre gjatë kësaj përplasjeje me klanin Beckham, kanë angazhuar një avokate që ka punuar më parë edhe për Harry dhe Meghan. Sipas Mail on Sunday, bëhet fjalë për Jenny Afia, pjesë e studios ligjore Schillings.

Afia e ka përfaqësuar Meghan në çështjen gjyqësore për shkelje të privatësisë kundër Mail on Sunday. Ajo është shfaqur edhe në dokumentarin e BBC-së The Princes and the Press, ku, me lejen e Markle, adresoi akuzat se dukesha kishte bullizuar stafin mbretëror pas martesës me princin Harry – akuza që zyra e saj i ka mohuar kategorikisht ndër vite.

Gjithashtu, Afia e ka përfaqësuar Harry-n në prill të kaluar kur ai humbi apelimin në gjykatë për të rikthyer sigurinë për veten, Meghan-in dhe fëmijët e tyre Archie dhe Lilibet në Mbretërinë e Bashkuar.

Tani duket se Afia është angazhuar nga Brooklyn dhe Nicola për të mbrojtur imazhin e tyre publik në përplasjen me familjen e tij. Përplasja u bë publike ditët e fundit pas mungesës së dukshme të çiftit të ri në tri eventet me të cilat David Beckham festoi 50-vjetorin e lindjes. Që prej atëherë, janë hedhur disa hipoteza për shkaqet e krizës në familje. Më së shumti është përfolur se Nicola kurrë nuk e ka duruar vjehrrën, Victoria-n, e cila thuhet se ia ka “rrëmbyer” momentin e parë të kërcimit në dasmë. Sipas People, në vend që të ishte nusja ajo që do të hapte vallëzimin me bashkëshortin, në skenë kishte dalë Victoria, duke bërë që Nicola të largohej nga salla duke qarë.

Të jetë e vërtetë apo jo, pas javësh të tëra me thashetheme dhe spekulime, Brooklyn dhe Nicola kanë vendosur të angazhojnë një avokate. Rastësisht, të njëjtën që kanë zgjedhur më herët Harry dhe Meghan të cilët janë tashmë ekspertë të përplasjeve familjare.

Megjithatë, një burim për People ka sqaruar se zgjedhja e çiftit nuk ka lidhje direkte me Harry-n dhe Meghan-in:
“Schillings është një studio ligjore e respektuar me një gamë të gjerë klientësh. Ironikisht, pasaktësitë në raportim janë pikërisht arsyeja pse duhet një avokat për të vënë pikat mbi ‘i’ dhe për të luftuar përhapjen e dezinformatave.”