Reperi i njohur shqiptar, Asdren Gjikolli, i njohur për publikun si Gjiko, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me akuzën për dhunim, e cila kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Burime të sigurta brenda sistemit të drejtësisë, të konfirmuara nga Telegrafi, bëjnë të ditur se Gjikolli është liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës. Vendimi i shpallur sot nga trupa gjyqësore thekson se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta lidhur të pandehurin me veprën penale për të cilën ishte hetuar dhe gjykuar.

Mbrojtja e artistit u udhëhoq nga avokati i njohur Kujtim Kerveshi, një nga figurat më të spikatura të botës juridike në Kosovë dhe rajon. Kerveshi, i njohur për përfaqësimin e korporatave të mëdha dhe individëve me profil të lartë, ka fituar edhe çmime ndërkombëtare për sukseset e tij në avokati.

Gjatë gjithë procesit, ekipi ligjor i Gjikollit ka mohuar kategorikisht akuzat, duke kërkuar që klienti i tyre të gjykohej mbi bazën e provave dhe jo perceptimeve.

Ky rast ka qenë ndër më të diskutuarit në media dhe rrjete sociale, duke ndarë opinionin publik. Me vendimin e sotëm, Gjiko kthehet zyrtarisht i lirë, ndërsa përfaqësuesit e tij ligjorë e konsiderojnë këtë si një fitore të së vërtetës dhe të drejtësisë.