Titullohu “Sir” nga Mbreti Charles III duket se i ka zbutur zemrën legjendës së futbollit, David Beckham. Ish-ylli i Manchester United dhe ikona botërore, ka bërë një hap pajtimi publik me djalin e tij të madh, Brooklyn Beckham, në një moment ku raportet e tyre kanë qenë të ngrira prej kohësh.

Në postimin emocional të bashkëshortes së tij, Victoria Beckham, që festonte nderimin me titullin “Sir”, David nuk harroi të përmendte edhe Brooklyn-in në një koment.

“Ju dua të gjithëve @victoriabeckham @brooklynpeltzbeckham @romeobeckham @cruzbeckham #HarperSeven”, – shkroi ai nën postimin ku Victoria e përshkruante si “kalorësin e saj në armaturë të ndritshme”.

Ky veprim, ndonëse i thjeshtë në pamje të parë, vjen në një kohë kur marrëdhënia mes Davidit dhe Brooklynit thuhet se është e tensionuar, sidomos pas martesës së tij me aktoren miliardere Nicola Peltz në vitin 2022. Sipas burimeve pranë familjes, çifti Brooklyn-Nicola nuk ishte njoftuar zyrtarisht për nderimin që iu bë Davidit, por e mësoi përmes mediave.

Ndërkohë, vëllezërit e tij më të vegjël, Romeo dhe Cruz, shpërthyen në mesazhe krenarie në Instagram, duke e quajtur babain e tyre “inspirim” dhe “hero”.
Brooklyn, nga ana tjetër, nuk bëri asnjë postim apo reagim publik mbi suksesin e babait, duke i shtuar benzinë spekulimeve për distancën mes tyre.