E ftuar në emisionin “Piter Pan” në Tv Klan, Françeska Murati përballë kureshtarëve të vegjël nuk tregoi thjesht kujtime, por hapi një faqe të ndjeshme të jetës së saj, atë të një fëmijërie të heshtur në zemër të Londrës.

Ndërsa fëmijët shqiptarë gëzonin verën në plazh dhe lojërat në natyrë, ajo dhe motra e saj pikturonin ëndrra brenda katër mureve. Me zërin që herë dridhej e herë forcohej, rrëfeu për bullizimin si emigrante, për paragjykimin ndaj prindërve që nuk flisnin anglisht, por mbi të gjitha për krenarinë që s’e humbi kurrë: “Jam shqiptare”. Sot, ajo e jeton fëmijërinë e humbur përmes të birit, duke ia dhuruar atij atë që vetë nuk e pati kurrë, një copë Shqipëri, plot dritë dhe liri për të qenë vetvetja.

Alketa Vejsiu: Si ka qenë fëmijëria jote atje në Angli, jam shumë kureshtare ta di?

Françeska Murati: Mendoj se fatkeqësisht është diçka që fëmijët e humbin kur janë në një qytet shumë të madh siç është Londra. Na mungon kjo pjesa e fshatit e mbushur me shumë kushërinjtë, të luajturit jashtë në natyrë, të shkuarit në plazh. Kur flas me shoqet e mia që kam këtu në Shqipëri, ato kanë kujtime shumë të bukura të fëmijërisë së tyre në plazh duke luajtur, kurse ne kemi qenë brenda në shtëpi, në një qytet shumë të madh. Unë dhe motra nuk kemi shumë vite diferencë dhe praktikisht kemi qenë shoqe të ngushta për njëra-tjetrën, pikturonim, nuk është se kishim shumë mundësi për të dalë jashtë dhe për të bërë ndonjë aktivitet. Vetëm tek-tuk, kur na çonin prindërit për ndonjë kamping, për ndonjë fundjavë. Prandaj dhe ky është synimi im që Charli të ketë sa më shumë aktivitete këtu në Shqipëri. Ajo gjëja që unë kam ëndërruar ai ta shijojë.

Alketa Vejsiu: Prindërit e tu kanë shkuar si emigrantë, apo jo? Si je trajtuar ti si emigrante atje? Ke qenë ti krenare dhe ke thënë “I’m from Albania”.

Françeska Murati: Po! Në fillim ka qenë shumë e vështirë dhe është shumë e vështirë për çdo emigrant që shkon në fillimet e veta në Angli. Sidomos atëherë që nuk ka pasur shumë informacion për Shqipërinë se ku është dhe jam bullizuar shumë për faktin që kam qenë shqiptare. Përpos faktit që kam bërtitur shumë që jam shqiptare, sepse më kanë rritur më këtë idenë që duhet të jemi krenarë, asnjëherë të mos kemi turp sidomos ne që kemin shkuar shumë të vegjël dhe jemi përshtatur shumë shpejt. Fatkeqësisht ka ndodhur kjo pjesa e bullizimit, njerëz që të gjykojnë. Prindërit nuk dinin të flisnin mirë anglisht, sidomos kur vinin në takime me prindërit, pro janë gjëra që na bëjnë gjëra më të fortë.