Justin Bieber, tashmë për herë të parë duke festuar Ditën e Baballarëve si prind, zgjodhi të shprehej... ndryshe. Me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe një selfie bardh e zi të shoqëruar nga një emoji të gishtit të mesit, këngëtari paralajmëroi publikun dhe mediat: “Jam një baba me të cilin s’luhet!”
Postimi i tij në Instagram të dielën mori menjëherë vëmendjen e ndjekësve dhe të bashkëshortes Hailey Bieber, e cila e "pëlqeu" me heshtje mbështetëse. Reagimet në rrjet ishin të përziera, disa e panë si shprehje krenarie për rolin e ri si baba, të tjerë si një shenjë shqetësuese për gjendjen emocionale të këngëtarit.
Por nuk munguan edhe komentet kritike, me disa që thonë se Justin-in “ka dalë nga vetja” apo “se është në një gjendje të çuditshme.”
View this post on Instagram
Bieber, 31 vjeç, dhe Hailey, 28, mirëpritën djalin e tyre Jack Blues në gusht 2024, dhe që prej atëherë, këngëtari ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për sjellje të papritura e përplasje me paparacët. Vetëm disa ditë më parë, ai u përplas ashpër me fotografët jashtë Soho House në Malibu, duke i larguar me fjalë të rënda dhe duke thënë:
“Mos më pyesni si jam. Jam një burrë i vërtetë me një familje të vërtetë... nuk më luani dot më.”
Pamjet e përplasjes bënë xhiron e rrjeteve, dhe Justin shprehu zemërimin e tij se “përherë i nxjerrin jashtë konteksti” veprimet e tij.
Dita më pas, ai ndau në Instagram një tjetër imazh me djalin e tij të vogël në krahë, duke e shoqëruar me një mesazh të shkurtër: “ay bay bay??”, duke e lënë të kuptohet se mesazhi ishte po aq për publikun sa edhe për paparacët.
Megjithëse figura e tij publike ndan mendimet, një gjë është e sigurt: Justin Bieber nuk ka ndërmend të rrijë i heshtur, sidomos tani që është baba. Dhe siç e tregoi vetë – ai është gati të mbrojë familjen me çdo kusht.