Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në Prishtinë grupin muzikor “Shkodra Elektronike”, të cilët shkëlqyen në Eurovision 2025 duke përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Zjerm” dhe u kualifikuan në finalen e madhe të këtij eventi ndërkombëtar.
Dyshja karizmatike, Beatriçe dhe Kola, performuan në hapjen e edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar feminist dhe artistik FemArt, që po zhvillohet në Prishtinë nga data 16 deri më 21 qershor, me moton kuptimplotë “Çliroje mendjen”. Në skenën e AMC Hall, ata sollën energjinë e tyre elektrizuese, duke ngrohur publikun me tingujt elektro-pop që i karakterizojnë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Kurti u shpreh me fjalë të ngrohta për suksesin e “Shkodrës Elektronike”, duke i cilësuar si “flaka e Eurovisionit 2025 në Prishtinë” dhe një pasuri muzikore që po ndriçon skenat evropiane me stilin e saj unik. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë këngën “Zjerm”, e cila jo vetëm çoi Shqipërinë në finale, por u rendit edhe mes 10 këngëve më të votuara të natës. Ndërkohë, The Guardian dhe media të tjera ndërkombëtare e përshkruan performancën e tyre si një nga më të veçantat e këtij edicioni.
Gjatë takimit me kryeministrin, Beatriçe dhe Kola ndanë detaje për projektin e tyre të ri, “Shndrit!”, që tashmë po përqafohet me entuziazëm nga publiku dhe kritika. Ata bënë të ditur se po punojnë për një turne ndërkombëtar dhe bashkëpunime të reja, duke e shtrirë më tej vizionin e tyre artistik që bashkon muzikën, artin dhe qëndrimin.
Kurti i krahasoi ata me ikonat alternative të skenës britanike si Siouxsie and the Banshees dhe Sisters of Mercy, duke shtuar:
“Te ne tashmë është bindshëm ‘Shkodra Elektronike’, emër që nuk ndalet, as në studio, as në skenë.”
Në një kohë kur arti dhe muzika po shërbejnë si ura mes brezave dhe kulturave, “Shkodra Elektronike” përfaqëson një zë të ri, modern dhe të fuqishëm shqiptar në Europë. Prishtina jo vetëm i përqafoi me duartrokitje, por edhe me krenari.