Një deklaratë e aktorit Rrezart Veleshnja ka ngritur dyshime mbi një nga temat më të përfolura të edicionit të parë të Big Brother VIP Kosova: A i ka marrë Stresi paratë e fituara si triumfues i këtij spektakli?
Veleshnja, në një prononcim të fundit për emisionin “Andale”, la të nënkuptohej se reperi nuk ka marrë ende një pjesë të çmimit të madh që i takonte si fitues. Komenti i tij shkaktoi reagime të menjëhershme në rrjete sociale dhe media, por nuk vonoi shumë edhe përgjigjja zyrtare nga babai i tij.
Në një intervistë për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, babai i Stresit, Sali Lushaj, e quajti deklaratën e Veleshnjës “shpifje dhe trillim” pa asnjë bazë reale.
“Është komplet e pavërtetë ajo që është deklaruar, është shpifje dhe trillim, ku di unë nga kush. E vërteta e parave është se lekët që Stresi i ka fituar në BBVK, të gjitha i kam tërhequr unë. Jam marrë vetë me të gjitha veprimet,” – deklaroi ai.
Sipas tij, menjëherë pas përfundimit të spektaklit u nënshkrua kontrata me drejtorin e Klan Kosovës dhe gjithçka u realizua sipas marrëveshjes, pa asnjë vonesë apo problem të natyrës financiare.
Stresi u shpall fitues i Big Brother VIP Kosova pas një gare të fortë ku u përball me Vedat Bajramin dhe Juliana Nurën, të cilët u renditën respektivisht në vend të dytë dhe të tretë.
Për momentin, nga vetë Stresi nuk ka ardhur asnjë reagim publik për këtë çështje.