Modelja dhe DJ britanike Kim Turnbull, ish-partnerja e Romeo Beckham, më në fund ka reaguar publikisht ndaj spekulimeve se ka qenë më parë në një lidhje me vëllain e tij më të madh, Brooklyn Beckham.

“E kam shmangur të flas për këtë temë për të mos i hedhur benzinë zjarrit, por ka ardhur një pikë ku ndiej nevojën ta adresoj për të vazhduar përpara,” shkroi ajo në një Instagram Story të hënën.
“Nuk do të vazhdoj të pranoj ngacmime apo të ndiej turp për shkak të gënjeshtrave, të krijuara për të përshtatur një narrativë të caktuar,” shtoi ajo.

24-vjeçarja Turnbull theksoi se ajo dhe Brooklyn, 26 vjeç, “nuk kanë qenë kurrë të përfshirë romantikisht në asnjë formë, në asnjë moment.” Sipas saj, lidhja mes tyre nuk ka kaluar kurrë më shumë se një miqësi shkollore, kur ishin 16 vjeç.

“Dua të distancohem nga kjo bisedë që nuk ka fund dhe të vendos një pikë mbi këtë histori, për të mirën e të gjithëve të përfshirë,” përfundoi ajo.



Deklarata e Kim Turnbull vjen gati dy javë pas ndarjes së saj me Romeo Beckham, pas një lidhjeje shtatëmujore. Sipas raportimeve, ndarja ndodhi në mes të një përçarjeje brenda familjes Beckham, e cila u bë më e dukshme kur u përfol se Brooklyn dhe gruaja e tij, Nicola Peltz, munguan në festën e 50-vjetorit të David Beckham në maj, për shkak të pranisë së Turnbull.

Spekulimet thanë se Brooklyn dhe Romeo ishin zënë për shkak të një lidhjeje të mundshme të kaluar mes Brooklyn dhe Turnbull. Por burime pranë familjes i kanë mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i quajtur ato "justifikime për sherr" dhe “marrëzi.”

Ndërkohë, Brooklyn dhe Nicola kanë mbajtur një distancë të dukshme nga pjesa tjetër e familjes, por David Beckham duket se ka bërë një hap drejt pajtimit. Ai e ka etiketuar djalin e tij më të madh në rrjetet sociale gjatë festimeve për titullin e nderit që mori nga Mbreti Charles III, dhe postoi foto nostalgjike me Brooklyn për Ditën e Babait.