Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për t’u afruar, Brad Pitt vazhdon të ketë një marrëdhënie të tensionuar me shumicën e fëmijëve të tij dhe Angelina Jolie. Sipas një raporti të fundit të Us Weekly, aktori 61-vjeçar përjeton një “barrë emocionale të thellë” për shkak të kësaj distance që është krijuar me familjen e tij.

Edhe pse është përpjekur disa herë për të rindërtuar lidhjen me fëmijët, burime pranë aktorit thonë se ai shikon “herë pas here” vetëm binjakët Knox dhe Vivienne, tashmë 16 vjeç. Ndërsa marrëdhëniet me Maddox (23), Pax (21), Zahara (20) dhe Shiloh (19) mbeten të ftohta dhe të vështira.

Ndarja nga Jolie, që nisi në vitin 2016 pas një incidenti të diskutuar në një avion privat, duket se ka lënë plagë të thella jo vetëm në çift, por edhe tek fëmijët. Megjithëse çifti u shpall ligjërisht i divorcuar në vitin 2019, vetëm në dhjetor të vitit 2024 u finalizuan të gjitha detajet ligjore. Në atë kohë, avokati i Jolie u shpreh se “Angelina është e rraskapitur, por e lehtësuar që kjo pjesë më në fund përfundoi.”

Brad Pitt, nga ana tjetër, e ka komentuar divorcin si “jo diçka kaq madhore,” por në intervista të fundit ka pranuar se ka bërë “gabime” dhe se është munduar të mësojë prej tyre. Në një prononcim për Entertainment Tonight, ai u shpreh se ndonëse disa gjëra kanë qenë të dhimbshme, ato e kanë ndihmuar të qëndrojë me këmbë në tokë.

Angelina Jolie ka treguar se pikërisht fëmijët e saj ishin arsyeja pse arriti të kalojë periudhën më të errët të jetës. “Të kisha fëmijë më shpëtoi,” tha aktorja për Vogue në vitin 2023. “Ndonjëherë mendoj se do të isha zhytur thellë në errësirë, nëse nuk do të jetoja për ta.”

Ndërkohë, fëmijët kanë treguar me gjeste të qarta distancimin e tyre nga Pitt. Në vitin 2024, Zahara përdori vetëm mbiemrin Jolie gjatë prezantimit në universitetin e saj. E njëjta gjë ndodhi me Vivienne në Playbill e shfaqjes teatrale “The Outsiders.” Së fundmi, edhe Shiloh bëri kërkesë zyrtare për të hequr mbiemrin “Pitt,” duke zgjedhur të identifikohet si “Shi Jolie.”

Pavarësisht këtyre distancimeve, burime pranë aktorit tregojnë se Brad ende shpreson të rindërtojë lidhjet me fëmijët teksa ata rriten dhe fillojnë të krijojnë jetët e tyre të pavarura. Ai ka nisur një lidhje të re me Ines de Ramon dhe vazhdon të jetë i angazhuar me projekte filmike, por duket se ajo që e rëndon më shumë është boshllëku që ndjen përbrenda familjes së tij.