Prek më së shumti moshat nga 25 deri në 50 vjeç dhe është një ndër tumoret që po shënon rritje të vazhdueshme. Në dekadën e fundit, rastet e melanomës, tumori i lëkurës, janë dyfishuar, një alarm serioz që nxjerr në pah rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit ndaj faktorëve të rrezikut.
Sipas të dhënave të Associazione Italiana per la Ricerca sul Cancro (AIRC), faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e rasteve përfshijnë: ekspozimin e shtuar ndaj rrezeve UV (qoftë nga dielli, qoftë nga pajisjet për nxirje artificiale), plakjen e popullsisë, si dhe avancimet në teknikat diagnostike që mundësojnë zbulimin e melanomave në faza shumë të hershme.
Diagnoza e hershme është arma më e fuqishme kundër melanomës, por parandalimi mbetet thelbësor, sidomos për një tumor kaq agresiv, i cili ka aftësinë të përhapet me shpejtësi në organet e tjera nëse nuk identifikohet në kohë.
Për këtë arsye, Dr. Franco Castelli, përgjegjës i shërbimit të dermatologjisë në Spitalin Koelliker të Torinos, ka përmbledhur 10 këshillat kryesore për parandalimin e melanomës, nga fëmijëria deri në moshë madhore:
1. Shmangni djegiet nga dielli
Rrezet UV shkaktojnë dëmtimet më të mëdha gjatë 20-25 viteve të para të jetës. Djegiet nga dielli gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës duhen shmangur absolutisht.
2. Filloni kontrollin e nishaneve që në moshën 12-vjeçare
Edhe pse melanoma është e rrallë tek fëmijët, kontrolli i hershëm i nishaneve është i rëndësishëm për të zbuluar format e mundshme të rrezikshme.
3. Vëmendje ndaj nishaneve edhe tek fëmijët
Ndonëse melanoma është e rrallë në këtë grupmoshë, nishanet potencialisht të rrezikshme mund të shfaqen që në fëmijëri ose adoleshencë.
4. Vizita dermatologjike vjetore pas moshës 18 vjeç
Nga mosha 18-20 vjeç, është e rekomandueshme një kontroll dermatologjik në vit, për të monitoruar çdo ndryshim.
5. Jo nxirjes artificiale
Përdorimi i lampave UV dhe shtratit për nxirje përbën rrezik të lartë për shfaqjen e melanomës dhe duhet shmangur.
6. Vetëkontrolli i lëkurës
Është thelbësore të krijohet zakon i vetëvëzhgimit të nishaneve, pasi 30% e melanomave shfaqen mbi një nishan ekzistues, ndërsa 70% lindin si formacione të reja.
7. Ndiqni rregullin e “ABCDE” për format e dyshimta
Asimetria, Bordet e parregullta, Cilësia e ngjyrës (ngjyra të errëta, blu, të kuqe), Diametri mbi 5-6 mm dhe Evolucioni i shpejtë janë tregues që kërkojnë vëmendje mjekësore.
8. Njihni faktorët e rrezikut
Faktorët më të zakonshëm përfshijnë: trashëgiminë, historikun personal me melanomë, djegiet në fëmijëri, numrin e lartë të nishaneve, fototipin e lëkurës së çelët, përdorimin e UV-së artificiale dhe trajtimet me imunosupresorë.
9. Më shumë se një hartë e nishaneve
Hartëzimi i nishaneve është i dobishëm tek personat me mbi 40 nishane, por ekzaminimi klinik dhe dermoskopik në epiluminescencë janë më të rëndësishmit për diagnostikim.
10. Mos harroni kontrollin e mukozave
Në vetëkontrollin e nishaneve, duhet përfshirë edhe kontrolli i mukozave, si dhe vëzhgimi i formacioneve të reja ose atyre që rriten shpejt.