Në Venecia, hotelet më prestigjioze si Gritti Palace, St. Regis, Aman dhe Kempinski janë rezervuar ekskluzivisht për Jeff Bezos. Disa të ftuar janë sistemuar edhe në Danieli. Ndërkohë, vetë “Mister Amazon” dhe e fejuara e tij Lauren Sanchez do të shkelin kanalet me një taksi ujor të epokës, legjendarin Fosca 342. Priten festa madhështore në Palazzo Pisani Moretta, në ishullin San Giorgio dhe ndoshta ceremonia zyrtare në Aman, siç ndodhi me dasmën e George dhe Amal Clooney.
Për herë të parë, edhe pse jo drejtpërdrejt, Bezos shpreh qëndrimin e tij përmes një reportazhi të publikuar në The Washington Post, ku dasma përshkruhet si një akt dashurie dhe vlerësimi për Venecian. Burime të cituara nga gazetarët amerikanë tregojnë se rreth 80% e produkteve për dasmën do të vijnë nga furnitorë vendas, duke nisur nga pastiçeria historike Rosa Salva, tashmë në brezin e gjashtë, dhe studioja e dizajnit Laguna B.
Por polemikat nuk mungojnë: pas posterëve anti-Bezos dhe pankartës së shpalosur në kambanoren e San Giorgio-s, edhe ambientalistët shprehin pakënaqësi. “A është gjithçka me qira në Venecia? Është kthyer qyteti në vitrinë për përdorim të përkohshëm?” pyet eurodeputetja ambientaliste Cristina Guarda.
Ndërkohë, na ndajnë vetëm nëntë ditë nga dasma më e përfolur e vitit dhe qyteti po përgatitet. Nga njëra anë, hotelet po punojnë me ritme të larta për të kënaqur kërkesat e të ftuarve super VIP amerikanë, nga ana tjetër, një pjesë e qytetarëve shprehin kundërshtimin e tyre me pankarta dhe protesta, përfshirë një manifestim të thirrur të premten në zonën Erbaria kundër "monopolizimit" të qytetit nga Bezos dhe të ftuarit e tij.
Datat tashmë janë të përcaktuara: “po”-ja miliardere me gazetaren me origjinë teksane, Lauren Sanchez, do të zgjatet për tre ditë, nga 26 deri më 28 qershor. Sipas zërave, gjithçka do të zhvillohet nën një regjim ekstrem privatësie, me kërkesën që të gjithë, nga punonjëset e shtëpisë deri te të ftuarit e nderit, të firmosin marrëveshje për ruajtjen e konfidencialitetit absolut. E vetmja gjë e konfirmuar zyrtarisht është se Lauren do të ndryshojë plot 27 veshje gjatë tre ditëve, me stilime që pritet të jenë larg çdo minimalizmi.
Ndër emrat e mëdhenj të ftuar priten: Lady Gaga (që mund edhe të performojë), Katy Perry dhe Orlando Bloom, Leonardo DiCaprio, Robert Pattinson, Barbra Streisand, Oprah Winfrey dhe Kim Kardashian. Veshja kryesore e nuses besohet të jetë firmosur nga Oscar de la Renta.
Autoritetet e qytetit deklarojnë se festa, me rreth 250 të ftuar, nuk do të ndikojë në jetën e përditshme të Venecias. Janë rezervuar vetëm rreth 30 nga 280 taksitë ujore, pa ndikim në shërbimin publik. Nuk parashikohen kufizime të trafikut ujor apo atij në këmbë. Sipas komunës, protestat dhe thirrjet për bojkot nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve, të cilët ndihen të nderuar nga zgjedhja e çiftit për t’u martuar në Venecia, qytet që çdo vit mirëpret mbi 600 çifte të dashuruarish për martesë dhe që ka ndikim të rëndësishëm në punësim dhe ekonomi lokale.
Historia e dashurisë Bezos-Sanchez nuk ka qenë pa zhurmë: në janar 2019, pas 25 vitesh martesë dhe katër fëmijëve, Bezos ndahet nga MacKenzie Scott. Mediat zbulojnë lidhjen e tij me Lauren, ish-mike familjare, e cila pak më vonë ndahet edhe vetë nga bashkëshorti i dytë. Çifti debuton publikisht në Wimbledon dhe që prej asaj kohe janë të pandarë. Dy vite më parë, në maj, Bezos e propozoi me një unazë me diamant rozë 30 karatësh me prerje “cushion” mbi një bazë platini me pavé. “Kur hapa kutinë mendova se do më binte të fikët,” rrëfen Lauren për Vogue.
Në mars nisën të shpërndahen ftesat dhe u bë e ditur se vendi i zgjedhur për dasmën është pikërisht Venecia qyteti i zemrës për martesat mbretërore dhe VIP: nga Clooney te Federica Pellegrini, nga Alice Campello dhe Alvaro Morata te Salma Hayek dhe François Pinault. Në prill, çifti bëri një vizitë surprizë në qytet si mysafirë të Diane von Fürstenberg. Lauren organizoi festën e beqarisë në Paris. E tashmë, gjithçka është gati për një dasmë që, me gjithë polemikat, pritet të jetë një event spektakolar që do të flitet gjatë.