Mund të mendosh se po hidratohesh mjaftueshëm, por nëse e kalon pjesën më të madhe të ditës me një filxhan kafe në dorë, ka shumë gjasa që je më i dehidratuar sesa mendon. Shifrat flasin vetë: trupi i njeriut përbëhet rreth 70% nga uji dhe ne humbasim deri në 2.5 litra ujë në ditë thjesht duke kryer veprimtari të zakonshme. Madje edhe duke marrë frymë humbim rreth gjysmë litri lëngje në ditë.
Por si e kupton nëse je realisht i dehidratuar? Dr. Lela Ahlemann, specialiste në dermatologji, proktologji dhe mjekësi ushqimore, dhe Dr. Heather Viola, mjeke e përgjithshme dhe asistente pedagoge në Mount Sinai kanë treguar për Vogue 8 shenjat më të zakonshme që tregojnë se nuk po pi ujë sa duhet:
Çfarë shkakton dehidratimin?
Para se të flasim për shenjat, duhet të kuptojmë si ndodh dehidratimi. “Dehidratimi ndodh kur trupi humbet më shumë lëngje sesa merr, duke prishur balancën e ujit dhe elektroliteve,” shpjegon Dr. Viola.
Shkaku kryesor është mungesa e konsumit të ujit gjatë ditës. Por edhe sëmundjet si ethet, sepsisi, apo problemet me veshkat mund të rrisin humbjen e lëngjeve. Gjithashtu, zakonet e jetesës si aktiviteti fizik i rëndë, konsumi i lartë i kripës, ankthi, stresi dhe përdorimi i medikamenteve si diuretikët, antihistaminikët apo laksativët mund të kontribuojnë.
Pije që mund të të dehidratojnë
Vetëm sepse një pije është e lëngshme, nuk do të thotë se të hidraton. Disa mund të bëjnë të kundërtën.
Alkooli është një nga pijet më dehidratuese. Ai bllokon hormonin ADH që ndihmon trupin të ruajë ujin, duke rritur nxjerrjen e urinës dhe duke rritur rrezikun e dehidratimit. Zgjidhja? Pije ujë mes gotave të alkoolit.
Kafeja në sasi të moderuar (deri në 3 filxhanë në ditë) nuk shkakton dehidratim serioz, por më shumë se kaq mund të ketë efekt.
Sodat nuk janë shumë dehidratuese në vetvete, por për shkak të kafeinës dhe sheqerit që përmbajnë, mund të ndikojnë negativisht në bilancin e lëngjeve.
Sa ujë duhet të pimë në ditë?
Sipas Mayo Clinic, bazuar në të dhënat e Akademive Kombëtare të Shkencës në SHBA:
Gratë duhet të pinë rreth 2.7 litra (11.5 gota) në ditë
Meshkujt rreth 3.7 litra (15.5 gota) në ditë
Rreth 20% e këtij uji mund të vijë nga ushqimet (frutat, perimet, supat), por shumica e njerëzve nuk arrijnë të plotësojnë këtë sasi.
Shenjat që tregon trupi kur je i dehidratuar
Goja e thatë dhe ndjesia e etjes
Shenja më e zakonshme. Goja e thatë jo vetëm që sinjalizon mungesën e lëngjeve, por dobëson edhe mbrojtjen imunitare të mukozës, duke rritur rrezikun për infeksione.
Aromë e keqe në gojë
Vjen nga mungesa e pështymës që ndihmon në pastrimin e baktereve.
Urie e shtuar
Trupi shpesh ngatërron etjen me urinë. Kërkesa për sheqerna mund të jetë sinjal për ujë.
Urinë e errët ose e pakët
Ngjyra e verdhë e çelët është ideale. Urina e errët tregon mungesë të theksuar të ujit.
Dhimbje koke dhe marramendje
Dehidratimi ul volumin e gjakut që mbërrin në tru, duke shkaktuar dhimbje koke ose ndjesi të turbullta.
Lodhje dhe vështirësi në përqendrim
Sërish, për shkak të qarkullimit të pamjaftueshëm të gjakut në tru.
Lëkurë dhe buzë të thata
Bëj testin: tërhiq pak lëkurën në dorë. Nëse nuk rikthehet shpejt në formën e saj, je i dehidratuar. Lëkura mund të duket më e zbehtë dhe me kruarje.
Rrathë të errët nën sy
Gjaku bëhet më i trashë, enët më të dukshme dhe krijohen qese dhe rrudha në zonën e syve.
Kapsllëk dhe fryrje barku
Pa mjaftueshëm ujë, zorrët përthithin më shumë lëng nga jashtëqitja, duke e bërë atë më të ngurtë dhe duke ndaluar lëvizjen normale të zorrëve.
Si të rehidratosh trupin?
Zgjidhja më e mirë është gjithmonë uji. Por për më shumë:
Pije me elektrolite
Ujë kokosi
Qumësht
Lëngje frutash të holluara
Çajra bimorë ose ujë me aromë
Ujë i gazuar
Për më tepër, konsumoni ushqime të pasura me ujë si:
Shalqi
Pjepri
Kastraveci
Sallata
Selino
Nëse e ke të vështirë të mbash mend të pish ujë, vendos alarme, përdor një shishe dhe mbaje me vete gjatë ditës. Në raste më të rënda, mund të nevojitet trajtim me infuzione nga mjeku.