Arilena Ara disa javë më parë dha lajmin më të madh të karrierës së saj: ajo po përgatitet të hyjë në tregun ndërkombëtar, duke nisur me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me një prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore, Diane Warren.
Për herë të parë, në finalen e BBV në Top Channel, Arilena prezantoi preview-n e këngës së saj më të re “Weightless”, që mban firmën e Warren dhe tani është publikuar për tregun global. Një hap gjigant ky për artisten shqiptare, që vjen pas një rruge të gjatë suksesi në muzikën vendase dhe rajonale.
Diane Warren është një nga kantautore më të mëdha të të gjitha kohërave. Emri i saj qëndron pas hiteve si “I Don’t Wanna Miss a Thing”, “Because You Loved Me”, “Unbreak My Heart” dhe shumë të tjera që kanë bërë histori. Ajo ka shkruar për legjenda si Whitney Houston, Celine Dion, Cher, Tina Turner, Mariah Carey, Beyonce, Lady Gaga, Taylor Swift, Elton John, Aretha Franklin dhe shumë të tjerë.
Videoklipi është një përjetim vizual i magjishëm. Hapësira të pafundme, dritë që pulson në sinkron me emocionin, dhe një Arilenë që fluturon përtej skenës tradicionale, përtej studiove, përtej tokës. Në këtë realitet të ri artistik, të qenit “weightless” nuk është mungesë peshe, por mungesë frike, mungesë kufizimesh, mungesë pritshmërish që i ngushtojnë krahët.
Detajet bëjnë diferencën. Në mesin e këtij universi futurist, Arilena nuk harron asnjëherë rrënjët. Shqiponja dykrenare, e thurur në veshjen e saj, qëndron krenare përballë kozmosit si një shenjë force, identiteti dhe krenarie kombëtare. Një kujtesë se edhe kur fluturon drejt yjeve, ajo mbetet vajza që erdhi nga kjo tokë.
Dhe siç e përshkroi vetë ajo në rrjetet sociale:
“Për tek yjet…”