Jessie J ka ndarë publikisht një moment të ndjeshëm nga jeta e saj personale dhe profesionale. Më 15 qershor, gjatë performancës në “Summertime Ball” të organizuar nga Capital dhe Barclaycard në stadiumin Wembley, këngëtarja 37-vjeçare deklaroi përpara 75 mijë njerëzve:
“Ky është koncerti im i fundit… përpara se të nis trajtimin për kancerin e gjirit!”
E emocionuar dhe falënderuese, ajo shtoi:
“Për mua ka qenë një moment shumë i veçantë, nuk keni ide sa shumë.”
Më pas ndau mirënjohjen për jetën, karrierën, djalin e saj Sky dhe prindërit. Jessie J ka një djalë 2-vjeçar, Sky, me partnerin e saj Chanan Safir Colman, me të cilin është në një lidhje që prej vitit 2021.
Në një tjetër moment gjatë performancës, Jessie theksoi:
“Familja ime, grupi im, ekipi im… jemi me fat. Kemi aq shumë për të jetuar, për të përjetuar, për të bërë.”
Pas koncertit, Jessie ndau një rrëfim të ndjerë në Instagram Story, ku përshkroi çastet intime që pasuan:
“Pas koncertit, darkova me disa miq të mrekullueshëm që më frymëzojnë. Tani jam në shtëpi, jam bërë dush, fytyrën e kam lyer me krem sikur jam Mrs. Doubtfire,” shkroi ajo me humor.
Ajo vazhdoi duke treguar rutinën e saj natën:
“Shpia është në errësirë, të gjithë flenë. Kam rregulluar çantat, kam larë gotën e Sky-t, kam palosur rrobat… dhe tani jam ulur në dhomën e tij duke e vështruar. Qava. Lot gëzimi dhe frike bashkë. Ky djalë… gjithë zemra ime. Çfarë dite e veçantë.”
Në një tjetër Story me ironi, Jessie shkroi:
“Shpresoj që Sky të mos zgjohet… se do e tremb për vdekje nga pamja që kam.”
Ajo e shoqëroi postimin me një GIF të Robin Williams si Mrs. Doubtfire.
Jessie publikoi gjithashtu një video “prapa kuintave” nga koncerti, duke shkruar: “Një nga performancat e mia më të preferuara në 15 vitet e fundit të kësaj jete të çmendur e të bukur. Wow.”
Më herët, më 3 qershor, Jessie J kishte njoftuar diagnozën e saj me kancer të gjirit në një video në Instagram:
“Dua ta ndaj me fansat e mi dhe me të gjithë ata që më duan. Gjithmonë kam ndarë gjithçka që përjetoj në jetë. Përpara se të publikoja ‘No Secrets’, më diagnostikuan me kancer të hershëm në gji,” tregoi ajo, duke theksuar me forcë fjalën “hershëm.”
“Kanceri është i tmerrshëm në çdo formë, por po mbaj fort fjalën ‘hershëm’. Kam bërë analizë pas analize gjatë gjithë kësaj periudhe.”