Duket se marrëdhënia mes Katy Perry dhe Orlando Bloom po kalon një periudhë të tensionuar, e përforcuar nga një debat i ashpër rreth një prej momenteve më të veçanta në jetën e këngëtares. Sipas burimeve për Daily Mail, aktori 48-vjeçar e quajti fluturimin hapësinor të Katy Perry në prill, në kuadër të projektit “Blue Origin”, “turpërues” dhe “i sikletshëm” gjatë një zënke të fortë mes tyre.

“I tha që gjithçka dukej qesharake,” tregoi një burim pranë çiftit, duke shtuar se komentet e Bloom e lënduan thellë Perry-n. “Imagjino të shkosh në hapësirë, në hapësirë të vërtetë, dhe partneri yt nuk ndjehet aspak i impresionuar,” u shpreh i njëjti burim.

Këngëtarja 40-vjeçare thuhet se kishte shpresuar që partneri i saj të ishte më mbështetës. Vetëm pak javë para nisjes, në një intervistë për Sirius XM, Perry kishte deklaruar se Bloom ishte shumë entuziast për këtë kapitull historik të saj. Madje ai u pa i pranishëm në vendin e nisjes, duke e mbështetur publikisht përpara dhe pas fluturimit.

Por, gjithçka duket se ndryshoi. Në mes të zënkës, komentet për “turpërimin” që sipas Bloom ajo i kishte sjellë vetes, e kanë zhgënjyer Katy-n, aq më tepër kur aktori ka vendosur të marrë pjesë në dasmën e Lauren Sánchez dhe Jeff Bezos në Itali këtë muaj, pa praninë e saj, pasi këngëtarja ndodhet në turneun “Lifetimes”.

“I ankohet që ajo shkoi në hapësirë, por pastaj shkon në dasmën e atyre që e bënë të mundur këtë udhëtim,” citohet burimi.

Ironia është se Lauren Sánchez dhe Jeff Bezos janë më shumë miq të Katy Perry-t sesa të Bloom-it, dhe megjithatë, ai po insiston të shkojë në dasmë pa të. “Kjo e bezdis shumë Katy-n, sepse ai nuk është as shumë afër me çiftin,” theksohet në raportim.

Çifti, të fejuar që prej vitit 2019, kanë bashkë një vajzë 4-vjeçare, Daisy. Martesa e tyre u shty në vitin 2020 për shkak të pandemisë, por gjatë vitit të fundit, burime të ndryshme kanë raportuar për "tensione të vazhdueshme", përfshirë edhe zhgënjimin e Perry-t pas pritjes jo të mirë të albumit të saj më të fundit, 143.