Nga Bianca London
Botuar në:Vogue
Përktheu: Revista Class

Duhet ta pranoj që jam një adhurëse e kafesë. E pij aq shumë sa baristi im më qorton çdo mëngjes: “Nuk është mirë për zemrën të nisësh ditën me një kafe me tre doza para orës 6 të mëngjesit.”
Por kur mbeta shtatzënë dhe duhej të reduktoja kafen deri në 200 mg në ditë (pra maksimumi dy kafe me një dozë), filloi një luftë me lodhjen. Pa kafe, pa nootropikë, pa Diet Coke, pa asgjë me kafeinë. Dhe unë? Thjesht e rraskapitur.

Derisa zbulova një lëng të quajtur “Fatigue Fighter”, me bazë panxhar, mollë, portokall, selino dhe xhenxhefil. E bleva, e piva menjëherë dhe… shijonte shumë. Por ajo që më bindi ishte energjia që më shpërtheu pak më vonë. Më poshtë janë arsyet pse ia vlen ta provoni dhe ju.

Çfarë përfitimesh ka lëngu i panxharit?
Sipas dr. Evelina Sabonaityte dhe mjekes së përgjithshme Katy Kasraie:

-I pasur me vitamina dhe minerale si folati (B9), mangani, kaliumi, hekuri dhe vitamina C.
-Mbron shëndetin e zemrës: nitrati që përmban shndërrohet në oksid nitrik, i cili relakson enët e gjakut dhe ul tensionin.
-Ndihmon mëlçinë: falë përbërjes së saj me betainë që detoksifikon dhe ul inflamacionin.
-Forcon kockat: përmban folat, vitaminë C, magnez dhe bakër.
-Rrit performancën fizike: nitrati përmirëson qarkullimin e oksigjenit te muskujt gjatë stërvitjes.
-Redukton stresin dhe ankthin: përmban uridinë që ruan nivelet e dopaminës, hormonit të kënaqësisë.
-E pasur me fibra: përmirëson tretjen dhe shëndetin e zorrëve, sidomos për ata me probleme si koliti ose sindroma e zorrës së irrituar.

Dietologe Lee Mitchell shton: “Lëngu i panxharit njihet për aftësinë e tij për të rritur energjinë, falë nitratit që zgjerojnë enët e gjakut dhe rrisin furnizimin me oksigjen.”
Përveç energjisë, është i pasur me antioksidantë, sidomos betalainë, që luftojnë inflamacionin dhe stresin oksidativ.

Eksperienca ime personale me lëngun e panxharit
Pasi u fiksova, fillova ta porosisja çdo ditë, por pastaj vendosa ta bëj vetë në shtëpi. Mjafton të lash një panxhar, ta presësh në disa copa dhe ta përziejsh në blender. Po s’të pëlqen shija (që është pak e dheut dhe e ëmbël), shto pak lëng portokalli ose selino.

Herë e pija menjëherë me mëngjesin, herë gjatë ditës. Kur ndonjëherë pija edhe kafe në mëngjes, e ruaja panxharin për pasdite, sidomos rreth orës 15:00 kur energjia më binte. Më ndihmoi më shumë se çdo çokollatë apo keks për të mbijetuar gjatë Zoom-eve të pafundme.

Pas një muaji, e kuptova që më bënte më shumë efekt kur e pija pasdite. Nuk më dha asnjë efekt negativ dhe e vura re që edhe lëkura ime po shkëlqente më shumë. Dhe s’e kam ndryshuar as rutinën e kujdesit ndaj saj. Ndaj, cheers për panxharin!

A ndihmon lëngu i panxharit me sëmundjet e mushkërive (COPD)?
Po, disa studime, përfshirë një të realizuar në 2023 nga Imperial College London, tregojnë që lëngu i panxharit i pasur me nitrate mund të ndihmojë pacientët me sëmundje pulmonare obstruktive kronike. Nitrati rrit efikasitetin e muskujve, duke u kërkuar më pak oksigjen për të njëjtin volum pune.

-Efekte anësore të mundshme
Sipas dietologes Lee Mitchell:

Gurët në veshka: panxhari është i pasur me oksalate që mund të rrisin rrezikun te personat e prirur.
Nivelet e sheqerit: përmban natyrshëm sheqer, ndaj diabetikët duhet ta konsumojnë me kujdes.
Probleme me tretjen: disa mund të ndiejnë fryrje ose diarre, ndaj është mirë ta shtoni ngadalë në dietë.

A është e sigurt ta pish çdo ditë?
Po, në përgjithësi është e sigurt. Por nëse keni tension të ulët ose merrni ilaçe që e ulin atë, konsultohuni me mjekun tuaj. Lëngu i panxharit mund ta ulë më tej presionin e gjakut.

British Heart Foundation këshillon të jeni të kujdesshëm nëse jeni me ilaçe për tensionin.