Armina Mevlani ka reaguar së fundmi ndaj spekulimeve të shumta që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale për një shtatzëni të mundshme. Shkak për këto aludime janë bërë disa ndryshime në pamjen e saj fizike, të cilat ndjekësit i kanë vënë re në daljet e fundit të saj.
E ftuar në “Goca dhe Gra”, Armina sqaroi se nuk është shtatzënë, por se ndryshimet në peshën trupore lidhen me probleme shëndetësore që ajo ka kaluar. Ajo shprehu keqardhje për mënyrën se si trajtohen lajmet personale në portale, duke i quajtur komentet dhe aludimet “të tmerrshme”.
“Unë nuk jam shtatzënë. Kam pasur disa probleme shëndetësore që më kanë sjellë ndryshime në peshë. Mënyra se si komentohet në portale është e tmerrshme. Nëse do më ndodhte, nuk do ta thoja. Por pas këtyre reagimeve kam thënë: vërtet a duhet ta them?”, u shpreh ajo.
Mevlani shtoi më tej se me kalimin e kohës ka zhvilluar njëfarë “imuniteti” ndaj komenteve në rrjet dhe se nuk ndikohet më nga opinioni i të tjerëve. “Vjen një moshë që s’të intereson se çfarë thonë, krijon imunitet”, tha ajo.
Ky rast vendos edhe një herë në qendër të vëmendjes marrëdhënien shpesh toksike mes figurave publike dhe mënyrës se si trajtohen në sferën online. Kur trupi i një gruaje bëhet subjekt i spekulimeve publike, vetëm sepse ka shtuar apo hequr disa kilogramë, jemi përballë një ndërhyrjeje të panevojshme dhe shpeshherë mizore në jetën private të dikujt.
Pas çdo njeriu, ka një realitet njerëzor, shpesh kompleks dhe i padukshëm.