Në një nga goditjet më të fuqishme ajrore që nga fillimi i këtij shekulli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbuluar detaje të operacionit ushtarak të koduar “Midnight Hammer”, që synoi objektivat kyç të programit bërthamor iranian. Sulmi u zhvillua të shtunën mbrëma, më 21 qershor, dhe shënjestroi me saktësi të lartë tri qendra sensitive: Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp nga Pentagoni, Shefi i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, Gjenerali Dan Caine, konfirmoi se në operacion morën pjesë mbi 125 avionë luftarakë, përfshirë 7 bombardues strategjikë B-2 Spirit, avionë mbështetës, raketa Tomahawk dhe dronë zbulues.

Sipas Caine, bombarduesit hodhën 12 bomba të tipit “Massive Ordnance Penetrator” (MOP), të dizajnuara për të depërtuar në thellësi të strukturave nëntokësore dhe për të shkatërruar qendrat e pasurimit të uraniumit. Sulmi zgjati vetëm 20 minuta, duke nisur në orën 18:40 ET dhe përfunduar rreth orës 19:00, një operacion që Pentagoni e cilësoi si “jashtëzakonisht të shpejtë dhe kirurgjik”.

Operacioni përfshiu gjithashtu një manovër taktike mashtruese, ku një pjesë e flotës amerikane fluturoi drejt Paqësorit për të devijuar vëmendjen e radarëve iranianë. Vetëm një numër shumë i kufizuar oficerësh në Washington dhe në selinë e Komandës Qendrore në Tampa ishin në dijeni të destinacionit të vërtetë.

Ky është misioni më i gjatë i bombarduesve B-2 që prej sulmeve të 11 Shtatorit 2001. Gjenerali Caine e përshkroi si një “arritje logjistike dhe taktike të jashtëzakonshme”, duke nënvizuar nivelin e përgatitjes dhe bashkërendimit të forcave ajrore amerikane.

Nga po i njëjti podium në Pentagon, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “me këtë ofensivë, ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar”. Ai vlerësoi udhëheqjen e Presidentit Donald Trump si “vizionare dhe të guximshme”, duke shtuar se SHBA ka vepruar me “fuqi të përqendruar, por të matur”.

Hegseth theksoi se operacioni është përgjigje ndaj një përshkallëzimi të rrezikshëm nga ana e Iranit dhe pas sinjaleve të forta të kërcënimit ndaj Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në rajon.

Goditja vjen në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku Irani dhe Izraeli ndodhen në buzë të një përballjeje të drejtpërdrejtë, ndërsa përfshirja aktive e SHBA-ve ngre pyetje të mëdha mbi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Teherani ka paralajmëruar se “bazat amerikane në rajon mund të bëhen hi” dhe se nuk do të ketë më negociata pa ndalimin e menjëhershëm të sulmeve.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe Kombet e Bashkuara, ka shprehur shqetësim të thellë, duke u bërë thirrje palëve për përmbajtje dhe rikthim në tryezën e bisedimeve.