Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se sulmet ajrore të SHBA-së ndaj tre objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës shkaktuan “dëme monumentale” në programin bërthamor të Iranit, duke deklaruar se “dëmi më i madh ndodhi në thellësi të tokës”.

Sulmet, të kryera gjatë natës së së dielës, kishin në shënjestër objektet bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz, në kulmin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit që tashmë ka hyrë në javën e dytë.

Zyrtarë amerikanë thonë se vlerësimet për masën reale të dëmit janë ende në proces. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së thekson se përmasat e dëmit mbeten të paqarta.

Irani ka kërcënuar me “pasoja të përjetshme” si kundërpërgjigje ndaj këtyre sulmeve, ndërsa ministri i Jashtëm Abbas Araghchi pritet të udhëtojë të hënën drejt Moskës për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, ku do të diskutojnë mbi “sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta”.

Ndërkohë, ndërhyrja e SHBA-së në Iran ka nxitur protesta në disa qytete të botës, përfshirë Europën, ku qytetarët kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar përshkallëzimin e luftimeve.