Irani ka paralajmëruar se do të godasë forcat amerikane në rajon nëse Washingtoni “kalon vijat e kuqe”, ndërsa tensionet me Izraelin janë përshkallëzuar në përplasje ushtarake. Teherani i ka quajtur bazat amerikane në Lindjen e Mesme “pika të rrezikshme të ekspozimit”, ndërsa grupet aleate të Iranit kanë kërcënuar gjithashtu me sulme ndaj anijeve luftarake amerikane në Detin e Kuq.

SHBA-ja ka rreth 40 mijë trupa të vendosura në rajon, nga Kuvajti dhe Bahrejni deri në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shumica brenda rrezes së raketave dhe dronëve iranianë. Baza ajrore Al-Asad në Irak, ku ndodhet kontingjenti më i madh amerikan në vend, është goditur disa herë më parë, përfshirë edhe sulmin me raketa të Iranit në vitin 2020 pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.

Më së fundmi, në janar të këtij viti, një sulm vdekjeprurës me dron vrau tre ushtarë amerikanë në pikën ushtarake Tower 22 në Jordani.

Ambasadat amerikane në Irak dhe Izrael kanë nisur evakuimin e stafit, ndërkohë që Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se mbrojtja e forcave amerikane mbetet “prioriteti kryesor” i Pentagonit.

Përveç objektivave ushtarake, Irani mund të përdorë edhe mjete jokonvencionale, pasi rrjeti i aleatëve të tij dhe historia e sulmeve jashtë kufijve ngre shqetësime për një hakmarrje më të gjerë.