Organizatorët e dasmës së Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez kanë dalë publikisht në mbrojtje të çiftit pas kritikave që janë shtuar në prag të dasmës së tyre luksoze në Venecia, Itali. Ata theksojnë se që në fillim, çifti ka dhënë udhëzime të qarta për të respektuar qytetin dhe banorët e tij.
Agjencia e organizimit të eventeve Lanza & Baucina Limited që më parë ka organizuar dasmat e George dhe Amal Clooney në 2014 dhe të Salma Hayek me François-Henri Pinault në 2009 deklaroi se Bezos dhe Sánchez kanë insistuar që festimet të zhvillohen me ndërhyrje minimale ndaj jetës së qytetit.
“Nga fillimi, udhëzimet nga klientët tanë dhe parimet tona ishin shumë të qarta: minimizimi i çdo shqetësimi për qytetin, respekti për banorët dhe institucionet, si dhe angazhimi i fuqishëm i forcës punëtore vendase për realizimin e eventit,” thuhej në deklaratën e tyre zyrtare.
Dasma tre-ditore e çiftit, e cila do të mbledhë emra të mëdhenj si Oprah Winfrey, Leonardo DiCaprio, Kim Kardashian, Bill Gates, Barbra Streisand dhe Ivanka Trump, ka ngjallur pakënaqësi tek disa banorë dhe aktivistë në Itali.
Protestuesit, nën sloganin “Nuk ka vend për Bezos”, kanë mbushur qytetin me postera që shkruajnë “Veniceland: Një park për oligarkë” dhe po përgatiten të bllokojnë kanalet dhe rrugët për të penguar ceremoninë, duke protestuar kundër mbingarkesës turistike dhe kapitalizmit.
Megjithatë, kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro, është shprehur se kjo dasmë do të ketë një ndikim shumë-milionësh pozitiv në ekonominë e qytetit.
Në reagim ndaj zërave kritikë, Lanza & Baucina sqaroi se kishin ndërmarrë masa për të minimizuar ndikimin që muaj para se të niste debati publik:
Sipas burimeve, çifti ka bërë donacione për organizata bamirëse vendase në Venecia që në prill, si pjesë e përgatitjeve të dasmës, përfshirë edhe dhurata simbolike në emër të të ftuarve.
Gjithashtu, rreth 80% e furnizimeve për dasmën po sigurohen nga furnitorë lokalë, si pastiçeria e famshme Rosa Salva dhe artizanët e qelqit nga Murano (Laguna B).
Organizatorët mohuan gjithashtu zërat se çifti ka rezervuar flotën e tërë të taksive ujore të qytetit, duke i quajtur “thjesht të pavërteta”.
Edhe autoritetet vendore konfirmuan se nuk ka asnjë bllokim të strukturave ujore apo veprime të jashtëzakonshme për dasmën.