Tre ditë magjike, hotele luksoze, mbi 90 avionë privatë që mbërrijnë nga të katër anët e botës dhe jahtet më të shndritshme që lundrojnë drejt Adriatikut. Venecia është gati të shndërrohet në pasarelën më ekskluzive të vitit për dasmën më të përfolur: atë të Jeff Bezos, themeluesit të Amazon, me Lauren Sánchez, ish-gazetare dhe pilote, tashmë një figurë publike që dominon edhe hapësirën, edhe skenën mediatike.

Dasma, e cila do të zhvillohet nga 26 deri më 28 qershor, mbahet në fshehtësi të plotë. Akseset janë të kontrolluara me rreptësi, por detajet kanë rrjedhur nëpërmjet aplikacioneve të ndjekjes së jahteve dhe burimeve të ndryshme në media. Bëhet fjalë për një ngjarje me përmasa botërore.

Sipas burimeve zyrtare, mbi 90 avionë privatë do të zbresin në Itali nga Los Anxhelos, Nju Jorku, Londra, Parisi dhe Dubai. Mes të ftuarve priten emra si Oprah Winfrey, Leonardo DiCaprio, Eva Longoria, Orlando Bloom, Barbra Streisand, Robert Pattinson dhe Bill Gates. Disa të ftuar, me modesti të qëllimshme, do të udhëtojnë në business class me fluturime të zakonshme.

Superjahti “Koru”, me gjatësi 127 metra dhe një kosto rreth 500 milionë dollarë, si dhe anija shoqëruese “Abeona” (75 metra), me pistë helikopteri dhe ekuipazh të dedikuar, ndodhen aktualisht në Adriatikun e Sipërm, mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Nuk është konfirmuar ende nëse do të futen në lagunë, por rreth 10 jahte të tjerë luksozë pritet të ankorohen në pika si Stacioni Detar, Punta della Dogana, San Basilio dhe Riva degli Schiavoni.
I vetmi jaht që tashmë është parë në qytet është M’Brace, në pronësi të legjendës së basketbollit Michael Jordan, i cili ndodhet atje me bashkëshorten e tij.

Ndërkohë, hotelet më prestigjioze të Venecias janë të gjitha të rezervuara. Aman Venice dhe Gritti Palace, të dy buzë Kanalit të Madh, janë prenotuar plotësisht për të akomoduar personalitete. Në Aman, një rezidencë rinascimentale, do të qëndrojnë vetë Bezos dhe Sánchez, së bashku me Kim Kardashian, Kris Jenner dhe ndoshta edhe Oprah Winfrey. Hotelet St. Regis Venice, Hotel Danieli dhe Cipriani, A Belmond Hotel janë zgjedhjet e preferuara të financierëve dhe figurave të larta të jet set-it global.

Axhenda e dasmës është e kuruar deri në detaje: 30 taksi uji të dedikuara për lëvizjet private të të ftuarve, rrugë të veçanta për në pontile dhe një pasarelë që do të ndjekë hapat e yjeve. Organizimi është menduar të jetë elegant dhe diskret, pa ndikuar në lëvizjen normale të qytetarëve dhe turistëve.

Por jo të gjithë janë të entuziazmuar. Grupet kundërshtuese, që shprehin shqetësime për ndikimin në qytet dhe turizmin e tepërt, kanë paralajmëruar protesta simbolike. Në maj, bashkia e Venecias publikoi një deklaratë për të zbutur zërat dhe për të siguruar qytetarët:

“Shumë nga lajmet që qarkullojnë rreth dasmës së Jeff Bezos janë të pabazuara. Do të ketë rreth 200 të ftuar dhe qyteti do të jetë më se i aftë për ta përballuar këtë ngjarje, pa ndikuar tek banorët apo turistët.”
Çifti i sapomartuar ka kërkuar që të gjithë të ftuarit të kontribuojnë në tri iniciativa për mbrojtjen e lagunës veneciane:

-Zyra e UNESCO-s në Venecia, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore,
-Konsorciumi CORILA, për kërkime dhe monitorim të ekosistemit lagunar,
-Venice International University, për mbështetjen e kërkimit dhe projekteve të qëndrueshme.

Gjithashtu, një pjesë e të ardhurave nga porosia e gotave të punuara me dorë nga qelqi i Murano-s, prodhuar nga LagunaB dhe mjeshtri Marcantonio Brandolini, do t’i dhurohet projektit VITAL, që fokusohet në mbrojtjen e ambientit të lagunës.

Jahtet po afrohen, avionët janë në fluturim. Venecia është gati për të qenë në qendër të vëmendjes globale – njëherazi e përkëdhelur, por edhe e sfiduar, si gjithmonë.