Presidenti rus Vladimir Putin i tha të hënën ministrit të Jashtëm të Iranit se sulmi ajror amerikan ndaj objektivave bërthamore të Iranit nuk kishte asnjë justifikim dhe se Moska po përpiqej të ndihmonte popullin iranian.
Putini priti në Moskë ministrin iranian të Jashtëm Abbas Araqchi, vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi bombardimin e tre objekteve kryesore bërthamore të Iranit.
“Agresioni krejtësisht i paprovokuar kundër Iranit nuk ka asnjë bazë dhe asnjë justifikim,” u shpreh Putini gjatë një deklarate televizive.
“Nga ana jonë, po bëjmë përpjekje për të ndihmuar popullin iranian,” shtoi ai.
Putini theksoi se ishte i kënaqur për vizitën e Araqchit në Moskë në këtë moment kritik.
“Jam shumë i lumtur që jeni sot në Moskë. Kjo do të na japë mundësinë të diskutojmë të gjitha çështjet urgjente dhe të mendojmë së bashku si mund të dalim nga kjo situatë.”
Nga ana e tij, Araqchi tha se veprimet e Iranit përfaqësonin vetëmbrojtje legjitime dhe falënderoi Rusinë për dënimin e sulmit amerikan, duke përcjellë përshëndetjet e udhëheqësit suprem dhe presidentit të Iranit për Putinin.
“Rusia është sot në anën e duhur të historisë dhe të së drejtës ndërkombëtare,” deklaroi Araqchi.
Megjithatë, nuk është ende e qartë çfarë lloj mbështetjeje konkrete Rusia mund t’i ofrojë Iranit, një aleat i rëndësishëm me të cilin Putini nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në janar, e cila nuk përfshin një klauzolë mbrojtjeje të ndërsjellë.
Para sulmeve amerikane, Moska kishte paralajmëruar se ndërhyrja ushtarake amerikane mund të destabilizonte të gjithë rajonin, duke e futur në një “humbëtirë” të rrezikshme.
I pyetur për veprimet që Rusia është gati të ndërmarrë për të ndihmuar Teheranin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj:
“Gjithçka varet nga çfarë ka nevojë Irani.” Ai shtoi se vetë oferta e Rusisë për të ndërmjetësuar krizën është një formë mbështetjeje.
Peskov dënoi gjithashtu bombardimet amerikane:
“Po përjetojmë, apo më saktë, kemi përjetuar, një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon, me përfshirjen e një lojtari të ri në konflikt. E dënojmë këtë dhe shprehim keqardhje të thellë. Po ashtu, mbetet të shihet nëse ka rrezik radioaktiv për shkak të goditjeve ndaj objekteve bërthamore.”
Ai konfirmoi gjithashtu se Trump nuk kishte informuar Putinin në detaje për sulmin:
“Nuk kishte informacione të detajuara. Tema e Iranit është diskutuar disa herë mes presidentëve, disa propozime janë shprehur nga Rusia, por nuk kishte paralajmërim specifik për këtë sulm.”
Sulmi ka shtuar ndjeshëm tensionet ndërkombëtare dhe ka ngritur shqetësime për një eskalim të gjerë në Lindjen e Mesme. Deri tani, Rusia po përpiqet të luajë një rol diplomatik, duke mbështetur verbalisht Iranin, por pa sinjale të qarta për përfshirje ushtarake.