Qeveria e Izraelit ka konfirmuar se është pajtuar me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut, thotë se Izraeli do t'i përgjigjet me forcë çdo shkeljeje të armëpushimit me Iranin.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Izraeli ka arritur qëllimin e tij për të eliminuar kërcënimin bërthamor dhe balistik të Iranit dhe falënderon Donald Trump dhe SHBA-në për mbështetjen e tyre në këtë drejtim.

Po ashti Izraeli thekson se kërcënimi i menjëhershëm ekzistencial i armëve bërthamore dhe raketave balistike të Iranit është hequr. Përveç kësaj, thuhet se ushtria izraelite goditi rëndë objektivat qeveritare në zemër të Teheranit gjatë 24 orëve të fundit, si dhe eliminoi një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor.

"Përveç kësaj, IDF ka arritur kontroll të plotë ajror mbi qiellin e Teheranit, ka shkaktuar dëme të rënda në udhëheqjen ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane", shtohet në deklaratë.