Princ Harry po përpiqet të rihapë kanalet e komunikimit me mbretin Charles III dhe princin William, duke i ftuar zyrtarisht në edicionin e vitit 2027 të Invictus Games, një ngjarje sportive ndërkombëtare për ushtarakë të plagosur, të themeluar nga vetë Harry.
Sipas Daily Mail, ftesat do të dërgohen fillimisht me email këtë muaj dhe më pas në formë zyrtare. “Harry ka rënë dakord që Invictus të shtrijë ftesë për familjen e tij,” ka thënë një burim pranë organizatorëve. “Shpresa është që familja mbretërore të vijë për të mbështetur veteranët pjesëmarrës.”
Ftesa është menduar të dërgohet shumë herët, duke pasur parasysh që axhenda e mbretit Charles mbushet vite më përpara. Edhe pse nuk ka garanci që ai do të marrë pjesë, për shkak të datave që përkojnë me 80-vjetorin e mbretëreshës Camilla, burime pranë pallatit mbretëror thonë se Harry është “shpresëplotë” se mund të arrihet një gjest pajtimi.
“Familja Mbretërore gjithmonë ka qenë mbështetëse e Invictus-it dhe krenare për arritjet e Harry-t. Kjo është një ftesë prej tij që ndoshta mund të pranohet,” – u shpreh një burim për Daily Mail.
Megjithatë, deri tani asnjë ftesë nuk është dërguar zyrtarisht, as për anëtarët e familjes, as për partnerët institucionalë apo VIP-at, pasi organizatorët në Birmingham 2027 po punojnë ende për listën e të ftuarve, e cila nuk përcaktohet personalisht nga Harry.
Burime pranë familjes mbretërore thonë se një pjesë e rezervës nga ana e mbretit Charles lidhet me mungesën e besimit ndaj të birit, veçanërisht pas publikimit të librit autobiografik “Spare” dhe disa intervistave kontroverse.
A do ta pranojë familja mbretërore ftesën e Harry-t? A është kjo një mundësi reale për pajtim apo thjesht një lëvizje simbolike?
Koha do ta tregojë.