Në një natë surprizash dhe emocioni në Paris, Jay-Z jo vetëm që u ngjit papritur në skenë gjatë koncertit të Beyoncé-s, por edhe hodhi një “kunj” ndaj mikut të dikurshëm, Kanye West, duke rindezur spekulimet për përplasjet mes tyre.

Ndërsa çifti performoi hitet ikonike “Crazy in Love” dhe “Drunk in Love”, Jay-Z zgjodhi të këndojë edhe “Niggas in Paris”, kënga hit e vitit 2011 nga albumi i përbashkët me Kanye-n, Watch the Throne. Por këtë herë, një detaj nuk kaloi pa u vënë re nga publiku i vëmendshëm.

Në vend të vargut origjinal “Just might let you meet Ye”, Jay-Z e zëvendësoi emrin e West me një referencë për bashkëshorten e tij:
“Just might let you meet Bey”, duke hequr kështu krejtësisht përmendjen e ish-shokut të ngushtë dhe partnerit të tij muzikor.

Ky ndryshim nuk duket të jetë rastësor. Ai vjen vetëm pak muaj pasi Kanye West publikisht sulmoi fëmijët e Jay-Z dhe Beyoncé-s, përmes një serie postimesh në rrjetin X, ku ngriti dyshime mbi “kapacitetin mendor” të binjakëve Sir dhe Rumi, vetëm 8 vjeç.

Reagimet ndaj postimeve ishin të ashpra, dhe megjithëse Kanye kërkoi ndjesë, ai u tërhoq shpejt nga pendesa e tij, madje e quajti deklaratën si ndoshta “më të fortën dhe më të mirën” e tij.

Sipas burimeve për Page Six, Beyoncé dhe Jay-Z kanë qenë në diskutime për të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj West, duke mos e toleruar aspak “gjuhën vulgare dhe fyese” që u përdor ndaj familjes së tyre.

Jay-Z dhe Kanye West ndërtuan një nga partneritetet më ikonike në historinë moderne të hip-hop-it, por raportet mes tyre janë ftohur prej vitesh. Në një intervistë të vitit 2017, Jay-Z pranoi:
“Ka gjëra që ndodhën që për mua nuk janë të pranueshme... por ka dashuri të vërtetë mes nesh.”