Më 10 qershor, Senati francez miratoi një ligj historik që synon të kufizojë fuqinë e industrisë ultra fast fashion, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në mënyrën se si trajtohet lidhja mes modës dhe mjedisit. Me 337 vota pro dhe vetëm një kundër, ky ligj vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha mbi ndikimin shkatërrues që moda me cikël të shpejtë ka mbi planetin.
Ky provizion ligjor përfshin disa masa konkrete:
1) Vendosjen e taksave progresive mjedisore për markat ultra fast fashion;
2) Ndalimin e reklamimit për këto marka në media tradicionale dhe digjitale;
3) Kufizime për influencer-at, të cilët nuk do të lejohen më të promovojnë platforma si Shein dhe Temu, të akuzuara për mungesë transparence në zinxhirin e prodhimit dhe ndotje masive.
Megjithatë, ligji ka ngjallur edhe kritika. Një pikë e debatueshme është përjashtimi nga detyrimet ligjore i gjigantëve europianë të modës, të cilët janë konsideruar më të qëndrueshëm krahasuar me konkurrentët aziatikë. Kjo ka ngritur shqetësime nga organizatat ambientaliste, të cilat e shohin këtë si një mbrojtje të interesave të industrisë europiane më shumë sesa të vetë mjedisit.
Sipas senatorëve konservatorë që mbështetën projektligjin, kjo masë ishte e domosdoshme për të mbrojtur industrinë europiane të modës, e cila, sipas tyre, respekton më shumë standardet ekologjike dhe të drejtave të punëtorëve. Por a mjafton kjo për të sfiduar një industri që ndërton fitimet mbi konsum impulsiv dhe prodhim masiv?
Një sinjal për të gjithë Europën?
Ky ligj i ri në Francë mund të shërbejë si precedent për vende të tjera europiane që kërkojnë të vendosin rregulla më të rrepta për markat që shesin me çmime të ulëta dhe ritme të larta, shpesh në kurriz të natyrës dhe të drejtave të punëtorëve.
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë konsumatorë i drejtohen modës së qëndrueshme, vintage, artizanale dhe të rikthyeshme, kjo ndërhyrje ligjore vjen jo vetëm si një masë ndëshkuese, por edhe si një ftesë për të ndryshuar mënyrën si konsumojmë modën.