Në një kohë ku zhurma digjitale, mbingarkesa me informacione dhe ritmi i vrullshëm i jetës po dominojnë çdo hap të përditshmërisë, një trend i ri po fiton terren: kërkimi i heshtjes. Quhet “silent retreats”, “dopamine detox”, apo thjesht momente pa ekran dhe pa fjalë, por të gjitha kanë një emërues të përbashkët – kthimi drejt qetësisë si nevojë fiziologjike dhe mendore.
Një studim i fundit nga Universiteti i Harvardit tregoi se 15 minuta në heshtje të plotë në ditë mund të përmirësojnë ndjeshëm përqendrimin, reduktojnë kortizolin (hormonin e stresit) dhe nxisin krijimtarinë. Të rinjtë në veçanti po zbulojnë se më pak është më shumë – më pak zëra, më pak stimuj, më shumë vetëdije dhe prani.
Në TikTok, trendi #silentwalk ka marrë mbi 50 milionë shikime – njerëz që ecin pa muzikë, pa biseda, vetëm me mendimet e tyre. Platformat e well-being si Headspace dhe Calm kanë shtuar seksione të dedikuara për “zërin e heshtjes”, ndërsa në qytete si Berlin, Amsterdam apo New York po shtohen hapësirat që ofrojnë "qetësi me qira".
Ky rikthim drejt brendësisë nuk është një modë kalimtare, por një reagim njerëzor ndaj mbingopjes së pandërprerë. Në një botë që bërtet, heshtja është bërë luksi i ri.