Netflix ka publikuar trailer-in e “Building the Band”, një reality-show muzikor që shënon edhe daljen e fundit televizive të Liam Payne, vetëm pak muaj para vdekjes së tij tragjike në Buenos Aires, Argjentinë, në tetor të vitit 2024.
Në videon promovuese të publikuar të martën, Liam Payne shfaqet në formë të mirë, i qeshur dhe plot energji, duke ndarë përvojën dhe këshillat e tij me konkurentët, një rol që e përshtatet natyrshëm për dikë që vetë e nisi karrierën nga një garë të tillë muzikore.
Në “Building the Band”, Payne ishte anëtar jurie i ftuar, përkrah yjeve si Kelly Rowland dhe Nicole Scherzinger, kjo e fundit ndër personat që ndihmuan në formimin e grupit One Direction në vitin 2010 gjatë sezonit të “The X Factor”. Pikërisht këtë eksperiencë, Liam e solli si shembull për konkurentët:
“Të krijosh një bandë në këtë mënyrë nuk është gjë e zakonshme. Edhe ne (One Direction) u bashkuam në atë mënyrë,” tha ai.
Në një tjetër moment të sinqertë, ai u shpreh:
“Dua të ndiej lidhjen mes jush. Ju duhet të punoni shumë për vokalin dhe kiminë në grup.”
Formati i ri i Netflix-it, që do të transmetohet nga AJ McLean i Backstreet Boys, përfshin 50 këngëtarë të rinj që duhet të formojnë 6 grupe, pa e parë njëri-tjetrin, duke u bazuar vetëm në zërat nëpër kabina izoluese zanore. Programi do të debutojë më 9 korrik.
Për Liam Payne, ky projekt erdhi si një kthim emocional në rrënjët e tij artistike, përpara se jeta e tij të ndërpritej para kohe. Ai ndërroi jetë në tetor 2024, pas rënies nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires. Raportet zyrtare treguan se në trupin e tij u gjetën substanca të shumta narkotike.
Payne ishte 31 vjeç dhe nuk kishte lënë testament. Pasuria e tij prej 32.2 milionë dollarësh u vendos në një trust për djalin e tij 8-vjeçar, Bear, të cilin e kishte me këngëtaren Cheryl Cole.
Vdekja e Liam-it tronditi industrinë e muzikës dhe fansat në mbarë botën.