Ish-i i dashuri i Lauren Sánchez do ta shohë atë teksa ecën drejt altarit.
Një nga ftesat më interesante në dasmën e shumëpërfolur të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez këtë javë është pikërisht ish-partneri i saj, Tony Gonzalez, i cili do të marrë pjesë bashkë me bashkëshorten e tij, October “Tobie” Gonzalez.
Sipas raportimeve të TMZ, çifti ndodhet tashmë në Evropë, duke ndarë me ndjekësit foto nga një udhëtim romantik përmes Romës dhe Toskanës, ndalesa të përsosura përpara një prej dasmave më të bujshme të vitit që do të mbahet në Venecia, Itali.
Tony Gonzalez, ish-lojtar i njohur i NFL, ka qenë në një lidhje me Sánchez në fillim të viteve 2000 dhe së bashku kanë një djalë, Nikko, i cili tashmë është 24 vjeç. Edhe pse ata u ndanë vetëm një vit pas lindjes së Nikko-s, marrëdhëniet mes tyre duket se janë më të forta se kurrë.
Tony është martuar me Tobie që nga viti 2007, dhe ajo është shoqe e ngushtë me Lauren. Madje, Tobie ishte pjesë e festës së beqarisë së Lauren Sánchez muajin e kaluar në Paris një shenjë e qartë e afërsisë së tyre. Në një intervistë për Wall Street Journal në vitin 2023, Lauren tregoi:
“Jam shoqe shumë e ngushtë me Tobie dhe Tony. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fillim kishte përplasje, por tani jemi si familje.”
Ndërkohë, një tjetër ish-i i Lauren-it, Patrick Whitesell, me të cilin ajo ka dy fëmijë të tjerë, Evan (19) dhe Ella (17), nuk do të jetë i pranishëm në dasmë, sipas TMZ. Lauren dhe Patrick ishin të martuar nga 2005 deri në 2019.
Romanca mes Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez u bë publike në vitin 2019, dhe pas pesë vitesh lidhjeje, themeluesi i Amazon i propozoi martesë në vitin 2023. Përgatitjet për dasmën janë në kulm, me një festë me shkumë në superjahtin 500 milionë dollarësh të Bezos që shënoi nisjen zyrtare të festimeve.