Pas thuajse një dekade së bashku, Katy Perry dhe Orlando Bloom i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre, raportojnë burime pranë çiftit për 'Us Weekly'.
“Katy dhe Orlando janë ndarë, por marrëdhënia mes tyre mbetet miqësore,” është shprehur burimi. “Nuk ka konflikte të hapura për momentin. Katy është e mërzitur, por në të njëjtën kohë e lehtësuar që nuk duhet të kalojë një tjetër divorc, pasi ai ishte një nga momentet më të vështira të jetës së saj.”
Burime të afërta sqarojnë se marrëdhënia ka qenë e tensionuar prej muajsh, ndaj edhe ndarja ishte “e pritshme”. Aktorja dhe këngëtarja është përpjekur ta përballojë situatën duke u marrë intensivisht me karrierën muzikore dhe turneun e saj aktual, “Lifetimes”.
Aktualisht, Perry po jep me qira rezidencën e saj luksoze në Montecito, Kaliforni, ndërsa vazhdon udhëtimet për performanca. Çifti kishte planifikuar ta kthente atë shtëpi në rezidencën e tyre familjare, por planet ndryshuan dhe, sipas burimit, ata “kanë jetuar të ndarë që prej nisjes së turneut të Katy-t”.
Ndërkohë, përfaqësuesit e dyshes nuk kanë komentuar ende publikisht.
Kujtojmë se burime për Page Six kishin paralajmëruar më herët këtë muaj se ndarja ishte “e pashmangshme”. Po ashtu, pritet që njoftimi zyrtar të vijë pas përfundimit të turneut të këngëtares.
Tensioni mes çiftit është përforcuar edhe nga pritja jo shumë pozitive që mori albumi i fundit i Katy Perry-t, “143”. “Katy ishte shumë e zhgënjyer dhe e stresuar nga pritja që iu bë albumit,” tha një burim për People, duke shtuar se edhe pse Orlando ishte mbështetës, kjo ndikoi në marrëdhënien e tyre.
Katy Perry (40) dhe Orlando Bloom (48) u njohën për herë të parë në një after-party të Golden Globes në vitin 2016, ndërsa u fejuan në Shën Valentinin e vitit 2019. Çifti ka një vajzë të përbashkët, Daisy Dove, e lindur më 26 gusht 2020.
Bloom është gjithashtu baba i djalit Flynn nga martesa e mëparshme me supermodelen Miranda Kerr.
Pavarësisht thashethemeve për ndarje, fundjavën e kaluar Orlando dhe vajza e tyre Daisy iu bashkuan Katy-t në koncertin e saj në Perth, Australi, duke dhënë një sinjal se marrëdhëniet familjare mbeten të shëndetshme.