Ka shumë për të thënë mbi detajet e ftesës së martesës së Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez që u publikua në rrjet këtë javë. Pjesa më e komentuara? Një kërkesë e qartë: “Pa dhurata”, ndoshta e vetmja kërkesë e arsyeshme kur bëhet fjalë për njërin nga njerëzit më të pasur në botë. Në vend të tyre, çifti ka kërkuar donacione për zyrën e UNESCO-s në Venecie, programin kërkimor Corila për lagunën e qytetit, dhe Universitetin Ndërkombëtar të Venecies, një shenjë kujdesi për një qytet që, në të njëjtën kohë, po proteston për praninë e tyre.

Por pjesa më e habitshme e të gjithë kësaj? Dizajni i ftesës.

E shtypur me një font italik dhe zbukuruar në mënyrë paksa të çrregullt me pëllumba, yje që bien, flutura dhe ura e famshme Rialto, ftesa dukej më shumë si një kartolinë amatore sesa një produkt artizanal luksoz. Ilustrimet, përfshirë edhe dy gondola, janë krahasuar me imazhet standarde të bibliotekës së Microsoft Word-it. Për shumëkënd, dukej sikur janë bërë në momentin e fundit, ndoshta për shkak të numrit të madh të të ftuarve, protestave në rritje dhe ndryshimit të minutës së fundit të vendndodhjes.

Në rrjetet sociale, reagimet ishin të përziera. Shumë u shprehën të zhgënjyer, duke pritur më shumë nga një dasmë miliarderi. Por për ata që e njohin stilin e “tech bro”-ve si Bezos, kjo ishte pothuajse e pritshme. Ai njihet për veshjet e tij të thjeshta, xhinse, polo dhe atlete, dhe për një filozofi që favorizon shpejtësinë ndaj stilit dhe efikasitetin ndaj glamurit.

Në kontrast, ftesat e eventeve madhështore mbartin më shumë sesa vetëm informacion. Ato janë paralajmërimi i parë për çfarë do të vijë.

Për shembull, për kurorëzimin e Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla në vitin 2023, artisti Andrew Jamieson pikturoi me dorë një kufi të pasur me motive folklorike, heraldika dhe detaje në fletë ari. Edhe Meghan dhe Harry përdorën një makinë shtypi nga vitet ‘30 për ftesat e dasmës së tyre në vitin 2018 me bojë amerikane në letër angleze, për të simbolizuar bashkimin transatlantik.

Ndërkohë, Jonathan Anderson, dizajneri i ri në krye të Dior, dërgoi këtë javë ftesa unike në formë pjatesh porcelani me tre vezë rozë të ngjitura mbi sipërfaqe një deklaratë kreative dhe e mistershme që njofton një koleksion të pazakontë. Më parë, marka si Balenciaga, Gucci dhe Alaïa kanë dërguar iPhone, kalendarë të rrallë apo edhe stola të palosshëm si ftesa për sfilatat.

Ndërkohë, në Venecie, Bezos dhe Sanchez po përgatiten për dasmën që zgjat nga 26 deri më 28 qershor, në një qytet të mbushur me protestues të Extinction Rebellion dhe Greenpeace, yje të ardhur me jahtet e tyre multimilionëshe, e paparacë që ndjekin çdo lëvizje.

Nëse dikush si Kim Kardashian apo Anna Wintour ishte e ftuar në të dyja eventet – Dior në Paris dhe dasma në Venecie – atëherë ndoshta ftesa ishte vendimtare për të zgjedhur mes dy botëve: një dasmë miliarderi me një ftesë të thjeshtë, apo një spektakël mode me një ftesë që vetë është vepër arti.