Pas mungesës së Kate Middleton në Royal Ascot këtë qershor, një nga ngjarjet më tradicionale të kalendarit mbretëror, komentuesit mbretërorë kanë hedhur dritë mbi arsyet e tërheqjes së saj nga jeta publike dhe si kjo mund të ndikojë në angazhimet e saj edhe në të ardhmen.

Këtë javë, Daily Mail ka zbuluar më shumë detaje rreth seriozitetit të sëmundjes së Princeshës së Uellsit, duke ofruar një pamje të rrallë të betejës së saj private me kancerin. Kur nisi trajtimin vitin e kaluar, Kate u pajis me një port gjysmë të përhershëm në kraharor, një pajisje e vogël që vendoset nën lëkurë dhe shërben për të shpërndarë ilaçet direkt në një venë pranë zemrës. Pajisja, e përshkruar si “një linjë jete”, ishte një masë serioze mjekësore, pa garanci, edhe për një princeshë.

Fakti që sot ajo mund të flasë për rikuperim, sipas reporterëve mbretërorë, është një mrekulli më vete.

Shqetësimet për shëndetin e saj u rritën sërish kur Middleton u tërhoq nga pjesëmarrja në Royal Ascot vetëm 30 minuta para mbërritjes së saj të planifikuar. Sipas The Daily Beast, stafi i pallatit u trondit dhe u shqetësua thellësisht, duke spekuluar se mund të ishte përballur me një urgjencë shëndetësore. Një burim nga pallati tha se mungesa e saj ishte një kujtesë e fuqishme:
“Kate ka qenë seriozisht e sëmurë dhe ka kaluar një periudhë të gjatë kimioterapie. Rikuperimi nuk është i menjëhershëm mund të zgjasë me vite.”

Të afërm të familjes mbretërore shtuan se anulimi i papritur nuk ishte një rast i izoluar, por një “thirrje zgjimi”.
“Ajo është duke rikaluibruar gjithë jetën e saj,” tha një burim i mirinformuar. “Ka qenë një periudhë e tmerrshme dhe nuk ka ndërmend të kthehet në një axhendë të ngarkuar para kohe.”

Në terma praktikë, kjo do të thotë se Princesha e Uellsit pritet të ulë ndjeshëm angazhimet publike gjatë pjesës së mbetur të vitit 2025. Ajo vetë është “shumë strikte” në lidhje me eventet ku duhet të marrë pjesë dhe ato që mund t’i shmangë, për të ruajtur ekuilibrin mes detyrave mbretërore dhe procesit të saj të rikuperimit.

“Ajo e di më shumë se kurrë çfarë është e rëndësishme për të dhe nuk do të nxitohet në këtë rrugë drejt shëndetit të plotë,” shkruan redaktori mbretëror.

Në mars të vitit 2024, Kate Middleton bëri publike diagnozën me kancer, pas muajsh spekulimesh mbi mungesën e saj nga publiku. Ajo zbuloi se kishte kaluar një ndërhyrje kirurgjikale abdominale dhe do të vijonte me kimioterapi. Në shtator të po atij viti, ajo konfirmoi se e kishte përfunduar kimioterapinë dhe se ishte pa shenja kanceri.

Megjithatë, Middleton theksoi se rruga drejt shërimit të plotë do të ishte e gjatë, dhe se do të fillonte të merrte pjesë në disa angazhime mbretërore në mënyrë të ngadaltë dhe të kujdesshme.

“Rruga ime drejt shërimit është e gjatë dhe duhet të vazhdoj ta marr çdo ditë si të vijë,” deklaroi ajo.