Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez janë gati të thonë "po" në dasmën më të përfolur të verës 2025, që po zhvillohet në Venecia. Ndër të ftuarit super VIP priten emra si Kim Kardashian, Katy Perry dhe madje edhe anëtarë të familjes Trump, por vëmendjen më të madhe pritet ta tërheqin fëmijët e çiftit. Pas martesës, themeluesi i Amazon do të bëhet patriarku i një familjeje të madhe të zgjeruar, pasi është baba i katër fëmijëve, ndërsa nusja e tij është nënë e tre fëmijëve.
Jeff Bezos u bë baba për herë të parë në vitin 2000, me lindjen e djalit Preston, i cili është më i madhi nga katër vëllezërit. Emri i tij ka një domethënie të veçantë dhe emocionale, pasi është gjithashtu emri i dytë i Jeff-it, babait dhe gjyshit të tij. Bezos ka dy djem të tjerë dhe një vajzë të birësuar në Kinë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Miliarderi është parë rrallë në publik me familjen, dhe vetëm një herë të vetme në vitin 2016, gjatë premierës së filmit Star Trek: Beyond.
Nëse nga ana e Jeff Bezos ruhet privatësia, Lauren Sánchez duket më e hapur për të folur rreth fëmijëve të saj, veçanërisht në rrjete sociale, me raste si ditëlindjet apo arritjet e tyre. Ajo u bë nënë për herë të parë në vitin 2001, nga lidhja me futbollistin Tony Gonzalez. Djali i tyre, Nikko Gonzalez, ka mbaruar studimet në Universitetin e Kolorados dhe ka debutuar si model në sfilatën e Dolce & Gabbana për koleksionin dimëror 2024–2025.
Nikko është vëllai nga nëna i Eleanor (Ella) dhe Evan Whitesell, të lindur përkatësisht në vitet 2008 dhe 2006, gjatë martesës së Sánchez me agjentin e fuqishëm të aktorëve dhe biznesmenin Patrick Whitesell. Sipas revistës People, ish-çifti ndan kujdestarinë për fëmijët.
Në një intervistë për Wall Street Journal në vitin 2023, Lauren Sánchez ndau përvojën e saj si nënë me bashkëprindërim:
“Shembulli im më i mirë është marrëdhënia që kam me babain e djalit tim të madh, Tony. Kam mësuar të bashkëprindëroj me të, kështu që kam më shumë përvojë se Jeff. Tony dhe gruaja e tij janë miqtë e mi më të mirë.”
Ajo e ka përshkruar jetën e re familjare si një version modern të serialit të famshëm amerikan The Brady Bunch, që përshkruan jetën e një familjeje me gjashtë fëmijë:
“Një të shtunë tipike? Kalojmë kohë bashkë, darkojmë me fëmijët. Është gjithmonë argëtuese, sepse me kaq shumë adoleshentë rreth tryezës, nuk e di kurrë nga do të shkojë biseda.”