Aktori dhe kryetari i Bashkisë së Ersekës, Erion Isai, ka thyer heshtjen për një nga periudhat më të ndjeshme të jetës së tij personale: divorcin nga ish-bashkëshortja, me të cilën ka dy vajza. I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Isai rrëfeu se procesi nuk ka qenë i lehtë, veçanërisht për shkak të ndarjes së kohës së vajzave mes dy prindërve.
“I vetmi moment i vështirë është përshtatja me nocionin e një familjeje të re, që vajzat duhet të ndajnë kohën me nënën e tyre dhe mua”, u shpreh ai, duke shtuar se, pavarësisht gjithçkaje, ka qenë një rrugë që duhej përballuar. “Nuk di të shpjegoj ndjesitë e para dy viteve, por është një shkallë që ti e bën edhe ecën. Kur një gjë nuk funksionon, nuk funksionon”, tha ai, duke shmangur qëllimisht dhënien e detajeve mbi arsyet e ndarjes.
Isai zgjodhi të mos komentojë mbi shkaqet konkrete të divorcit, duke thënë se “nuk do të rimbush portalet me një kapitull që ka marrë fund” dhe se vendimi për t’u ndarë ishte marrë që prej dy vitesh, ndonëse vetëm kohët e fundit është zyrtarizuar nga gjykata.
Por duket se aktori nuk është më vetëm. Me qartësinë dhe qetësinë që i karakterizon daljet publike, ai konfirmoi se ka nisur një lidhje të re. “Nuk ka asnjë artist që jeton pa dashuri. Po, kam një vajzë në jetën time”, tha ai, duke dhënë kështu sinjalin se ka hapur një kapitull të ri në jetën personale.
View this post on Instagram