Nga: Vanity Fair Italia
Përktheu: Revista Class
Fjalinë më të goditur për tri ditët e çmendura të dasmës veneciane të Jeff Bezos ma tha një shitës pak orë pasi mbërrita në qytet: “Problemi nuk është dasma e Bezos-it, problemi janë dasmat në verë.” Është e njëjta shprehje që babai im përsërit çdo herë para ndonjë ceremonie përvëluese, dhe që do të më vinte në mend shpesh mes 200 gradësh, varkave që kalojnë në çdo drejtim, lagështirës që të shkrin dhe paradës së të ftuarve që rridhnin djersë brenda smokingëve të tyre. (Kris Jenner provoi të shpëtonte me ato ventilatorët e vegjël plastikë që, ta pranojmë, të gjithë jemi tunduar t’i blejmë.)
E në sfond, më vinin ndërmend fjalët e Marracash-it në koncertin e San Siros, pak orë para trenit për në Laguna: “Të gjithë të pasurit janë njësoj. Kush do t’ju mbrojë nëse ata shtohen?”
Po si ishte vërtet dasma e Bezos?
Për ata që e përjetuan nga “brenda flluskës” – për të cituar sërish Marracash – nuk ishte shumë ndryshe nga një festë tipike hollywoodiane. Thjesht, në vend të tapetit të kuq kishte kanale, policë në motoçikleta ujore dhe ca fustane nusërie. U paralizua Venecia? Po dhe jo. Një qytet që prej kohësh përballet me mbipopullim turistik, privatizime dhe krizën klimatike, tashmë është mësuar me ngjarje të kësaj natyre. Dasma e Bezos ishte si një version i përmirësuar i dasmës së Clooney-t: më e blinduar, më e Instagrammueshme, por jo e paprecedentë.
Z. Amazon e kurseu qytetin nga jahti i tij gjigand (i ankoruar në brigjet e Kroacisë), po ashtu edhe nga festa me shkumë që kishte bërë dikur mbi të. Festa finale, që ishte planifikuar të mbahej në Misericordia, u zhvendos në çastet e fundit tek Tese dell’Arsenale, një hapësirë më e lehtë për t’u mbyllur dhe, më e rëndësishmja, më pak invazive për jetën e përditshme të qytetit. Kjo falë protestave që u paralajmëruan dhe më pas u realizuan, paqësore, të sakta dhe me mesazhe të qarta.
Dhe pjesa tjetër? Lista e të ftuarve, sigurisht.
Jeff dhe Lauren, ose ndoshta këshilltarët e tyre shumë të zotë, krijuan një përzierje perfekte: mjaftueshëm e fuqishme për të tërhequr vëmendje, por e kuruar për ta zhvendosur atë aty ku donin. Mes të ftuarve: oligarkë, investitorë të Amazon-it, miq të Trump-it, por edhe yje të Hollywood-it dhe personalitete të respektuara si Mbretëresha Rania. Ishte aty Orlando Bloom (kush mund ta urrejë Legolas-in?), diva e brezit Z Sydney Sweeney, motrat Jenner njëra prej tyre e lidhur me Timothée Chalamet (thuhet se ishin ato që siguruan ftesën për gjithë klanin Kardashian), çifti nerd-demokrat Karlie Kloss dhe Josh Kushner, dhe i paprekshmi Leonardo DiCaprio (i shoqëruar nga e dashura e tij italiane, modelja Vittoria Ceretti).
Leo, për të thënë të drejtën, nuk dukej shumë i entuziazmuar për këtë “shtegtim venecian”, por nuk e humbi asnjë festë. E gjithë operacioni “celebrity-washing”, nëse mund ta quajmë kështu, funksionoi në mënyrë të përsosur. Në fund të maratonës, përveç vapës përvëluese, ajo që mbeti ishte vetëm shkëlqimi i Hollywood-it dhe pak më shumë tolerancë për gjithçka që Bezos përfaqëson.
Dhe ndoshta merita për këtë i takon edhe sozisë së tij simpatik një elektricist gjerman që për tri ditë bëri selfie me këdo. “Ç’do me një foto me Bezos-in? Ai gjithmonë buzëqesh dhe është shok me DiCaprion,” dëgjova dikë tek prisja vaporetton për San Marco.
E nëse kjo s’mjafton, nga dritarja e hotelit me pamje nga festa hapëse te kisha Madonna dell'Orto, pak para një shiu të shumëpritur, dikush nisi të këndonte “Bella ciao”. Ndoshta për faj të La Casa de Papel, por gjithsesi... “Bella ciao” mbetet “Bella ciao”.
P.S. Po, Venecia është e mrekullueshme, nusja kishte të drejtë. Por për miliarderin tjetër që dëshiron të martohet në Itali... a mund të zgjedhë dimrin, ju lutem?