Kur një prej kompozitoreve më të mëdha të të gjitha kohërave si Diane Warren thotë për një artiste: “Kjo vajzë këndon si e çmendur! Është në nivelin e Celine Dion”, atëherë e kupton se bëhet fjalë për një talent që nuk vjen çdo ditë. Dhe emri i atij talenti është Arilena Ara, që po tërheq vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare.

Pas më shumë se një dekade karrierë në Europë, suksese të njëpasnjëshme në toplista, çmime si “Artistja e Vitit” në disa vende, dhe rolin si juri në spektakle të mëdha si 'X Factor Albania' dhe 'The Voice of Albania', Arilena ka bërë hapin e madh drejt tregut amerikan. Dhe ky hap, nuk mund të kishte nisur më fuqishëm se me një bashkëpunim me vetë Diane Warren, fituese e 'Grammy', 'Golden Globe' dhe nominuar për më shumë se 14 herë për 'Oscar', autore e këngëve që janë kthyer në himne të botës si “Because You Loved Me” e Celine Dion, “I Don’t Want to Miss a Thing” e Aerosmith, apo “If I Could Turn Back Time” e Cher.

Në një artikull të fundit të publikuar në 'Music Television' nga gazetarja Lyndsey Parker, e cila ka ndjekur për vite karrierat e artistëve më të mëdhenj, për Arilenën shkruhet për një “zë që trondit, një vajzë e cila “jo vetëm nuk është përkëdhelur nga suksesi, por e ka ndërtuar vetë çdo shkallë të tij, me punë të palodhur, profesionalizëm dhe një uragan emocional në zë”.

“Weightless”, kënga e saj debutuese në tregun amerikan, është një baladë klasike në stilin Warren, e fuqishme, e thellë dhe emocionale. Diane Warren, e cila është mësuar të dëgjojë zëra të mëdhenj, nuk e fsheh entuziazmin për bashkëpunimin me Arilenën: “Kur ajo e këndoi për herë të parë, thjesht thashë: Kjo është ajo që kam kërkuar. Ishte më shumë sesa prisja.”

Por rruga drejt këtij bashkëpunimi nuk ka qenë e rastësishme. Warren e përshkruan Arilenën si një artiste të uritur për t’ia dalë, një grua që ka kaluar përmes 10 mijë orëve të famshme të stërvitjes dhe përgatitjes, dhe që ka “atë zjarrin” që e dallon një yll të lindur nga një artist i zakonshëm. Për të, Arilena është një nga ato raste të rralla ku një këngë e shkruar pa destinacion gjen në mënyrë perfekte zërin e saj të duhur.

Nga ana tjetër, Arilena e përshkruan bashkëpunimin me Diane si “prova më e madhe e karrierës sime”. Me sinqeritet të rrallë, ajo rrëfen se nuk ka pasur asnjëherë më shumë frikë sesa në momentin që këndoi për Warren në studio. “Nuk mund të krahasohet me X Factor. Kur isha 14 nuk kisha çfarë të humbja. Por Diane? Ajo ka punuar me idhujt e mi. E dija që një ‘ok, ke zë të mirë’ nuk do mjaftonte. Duhej të jepja gjithçka.”

Dhe ajo e dha. Kënga u regjistrua në tri xhirime të plota dhe Warren reagoi me entuziazëm të menjëhershëm. Ajo nuk do të ndalej me kaq: “Pas kësaj, i kam premtuar që do i shkruaj edhe një EP. Ajo është gati për tregun amerikan. Por duhet të jetë këtu, duhet të zhvendoset në Los Angeles dhe të jetë prezente fizikisht. Nuk mjafton më vetëm zëri, por dhe prezenca.”

Në një kohë kur shumë artistë përpiqen të depërtojnë në tregun amerikan përmes rrjeteve sociale apo bashkëpunimeve virale, Arilena vjen me një armë të pakrahasueshme, zërin e saj. Dhe jo çdokush ia njeh këtë vlerë, por vetë Diane Warren, një grua që ka vendosur standardet e muzikës pop ndër vite, dhe që rrallë e ndan lavdërimin me kaq zemër të hapur.

E ardhmja e Arilenës në SHBA duket premtuese. Mediat ndërkombëtare e përshkruajnë si një “mister të bukur ballkanik me një zë të përbotshëm”.

SHKRIMI I PLOTË

Pse Diane Warren zgjodhi të punonte me yllin shqiptar të popit, Arilena Ara: “Ua, kjo vajzë këndon si e çmendur! Është në nivelin e Celine Dion.”

Nga| Music Television

Arilena Ara, ylli ndërkombëtar i popit, është lidhur në Zoom nga vendlindja e saj, Shqipëria, ku po bisedon me legjendën e këngëve Diane Warren, autore e këngës së saj debutuese në SHBA, baladës tipike në stilin e Warren-it: “Weightless.” E veshur me një bluzë ironike ku shkruhet “SPOILT BRAT” (Përkëdhelur e llastuar), Ara i bie në sy menjëherë Warren-it, e njohur për batutat e saj thumbuese, por me të qeshur kujton një takim të hershëm me të: “Në njërin nga takimet tona të para shkova me një bluzë ku shkruhej ‘ASSHOLE’. Dhe Diane më tha: ‘Po, kjo është muzika ime!’”

“E shitëm menjëherë!” – thotë Warren me ironi.

“Ti vetë më the që kemi shumë gjëra të përbashkëta,” i përgjigjet Ara, duke buzëqeshur. “Dhe kjo më mbeti në mendje.”

Që në prezantimin e tyre, përmes mikut të ngushtë të Warren, producentit Larry Frazin, të dyja ndjenë një energji të menjëhershme – jo vetëm për humorin me përmbajtje të fortë apo stilin e lirshëm. Diane Warren e kuptoi menjëherë se Arilena kishte “atë zjarrin” dhe se ishte larg imazhit të një vajze të llastuar: “Një punëtore e palodhur, e uritur për të bërë diçka të madhe.” Mbi të gjitha, Warren u impresionua nga “tingulli unik” i Arilenës. Por ajo që e vulosi lidhjen e tyre muzikore ishte momenti kur Arilena këndoi “Weightless.” Warren i tha vetëm: “Shko në studio dhe jepi, bëje tënden. Shkëlqe.” Dhe ajo e bëri. Zëri i Arilenës, fitueses së X Factor Albania, i la mbresë të pashlyeshme kompozitores legjendare.

Warren, anëtare e Hall of Fame të Krijuesve të Këngëve dhe rekordmene për numrin më të madh të këngëve Nr.1 të shkruara solo në Billboard, ka bashkëpunuar me emra si Celine Dion, Cher, Toni Braxton, Aerosmith, LeAnn Rimes, Heart dhe Christina Aguilera. Kur dëgjoi Arilenën në studio, reagimi i saj ishte i menjëhershëm: “Ua, kjo vajzë këndon si e çmendur! Këndon në mënyrë të pabesueshme. Shkruaj shumë këngë dhe ndonjëherë nuk di për kë janë. Por kur dikush e këndon dhe e ndien, e kupton menjëherë: ‘Kjo është për ty.’ Dhe kështu ndodhi me këtë këngë. Ishte më mirë se ç’e kisha imagjinuar. Në fakt, ishte në nivelin e Celine Dion – një interpretim i shkëlqyer.”

Arilena ishte vetëm 14 vjeç kur fitoi X Factor Albania në vitin 2013, por pranon se audicioni për Diane Warren, në të njëzetat e saj, ishte shumë më sfidues. “Nuk krahasohet fare. Televizioni është tjetër gjë, por Diane… është Diane! Ishte një provë e vërtetë,” tregon ajo me të qeshur. “Në moshën 14-vjeçare nuk kisha asgjë për të humbur. Por në këtë rast, duhej ta impresionoja. Ajo ka punuar me zërat më të mëdhenj në botë. Dhe ja ku jam unë, nga Shqipëria, që po përpiqem të bëj një këngë me Diane! Nëse do të më thoshte: ‘Është në rregull, ke një zë të bukur,’ e dija që nuk do të mjaftonte. Diane është e drejtpërdrejtë në studio. Nëse i pëlqen diçka, ta thotë. Nëse jo, të thotë: ‘Dil jashtë.’”

“Jo në atë mënyrë, por po, jam e sinqertë,” thotë Warren me një buzëqeshje. “Ndoshta do të thoja: ‘Të lutem, dil jashtë me të shpejtë.’”

Por, natyrisht, kjo nuk ndodhi. “Deshi ta dëgjonte këngën tre herë dhe më pas tha: ‘O Zot, kjo është fantastike!’” kujton Arilena me krenari.

Sipas Warren, Arilena e kishte përgatitur këtë moment për vite me radhë – ajo i kishte bërë “10,000 orët e punës,” siç thotë teoria e famshme. Dhe Arilena e pranon: “Kam qenë e stërvitur për të përballuar skenën dhe suksesin.” Edhe pse “Weightless” është debutimi i saj në SHBA, në Europë ajo është një emër i madh prej më shumë se një dekade – ka qenë juri në X Factor Albania dhe The Voice, ka fituar çmime të rëndësishme në dhjetëra vende, dhe ka vendosur rekorde në toplistat muzikore. Në Shqipëri është kaq e famshme, sa nuk del dot pa syze të mëdha e pa u maskuar, sepse nuk ndihet rehat me vëmendjen që i jepet.

“Por e dua aq shumë atë që bëj, sa nuk më vjen keq për asgjë,” thotë ajo. Ndaj, edhe pse fama në Europë ka edhe anët e saj të lodhshme, ajo nuk e ndal dot dëshirën për të depërtuar edhe në tregun amerikan – një ëndërr që e ka që fëmijë. “Kam dashur gjithmonë të thyej kufijtë dhe të mos mbetem vetëm në Europë. Doja të isha globale. Muzika nuk është vetëm pasion. Është jeta ime. Është personaliteti im. Është e vetmja gjë që mund të bëj në mënyrën më të mirë të mundshme. Që e vogël, kam qenë në skenë. Nuk kam jetuar si adoleshente normale… Kështu që, po, jam në të njëzetat, por më duket sikur kam jetuar shumë më shumë se kaq.”

Fillimisht, Arilena kishte planifikuar të niste karrierën në SHBA që në vitin 2020, kur udhëtoi për të punuar mbi këngën që do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovision. Por pandemia e anuloi edicionin – për herë të parë në historinë 69-vjeçare të festivalit – dhe gjithçka u ndal. Sot, ajo e sheh si fat: “Mendoj se ishte e shkruar që të prisja dhe të debutoja në SHBA me ndihmën e Diane. Tani është momenti i duhur. Kam pesë vjet që punoj për këtë projekt.”

“Teoria ime është: nëse je yll në një vend, mund të jesh yll kudo,” thotë Warren. “Po, është sfidë të fillosh nga e para në SHBA. Por është edhe ndërtim i ri, është krijim i diçkaje të madhe.”

Zgjedhja për të debutuar me një baladë në SHBA është ndoshta e papritur – edhe pse një version remix për klubet do të publikohet në gusht – por për Arilenën, baladat janë fusha e saj më e fortë. “Unë jetoj me baladat,” thotë ajo. Warren, nga ana tjetër, edhe pse beqare prej dekadash, është specialiste e baladave për dashurinë. “Me këngët e mia njerëzit martohen, divorcohen, bëjnë seks, bëjnë fëmijë, madje edhe i varrosin me to,” thotë me humor. “Weightless” është një nga ato balada ikonike që flet për dashurinë – “jo se di ndonjë gjë për të! Unë e dua vetëm macen time,” shton Warren.

Dhe pastaj, mes të qeshurash, shton: “Kur e shkrova, mendova: kjo do ishte këngë perfekte për ata që shkuan në hapësirë me Jeff Bezos. Pastaj mendova… ndoshta më mirë që nuk u përdor për atë rast.”
(Nota redaksionale: Kur i sugjerohet në shaka të shkruajë një këngë për ta rikthyer Katy Perry-n në skenë, Warren përgjigjet: “Nuk e di a do e donte, por unë do e bëja pa problem.”)

E në fund të ditës, “Weightless” i dha Arilenës mundësinë të nxirrte jashtë emocione të përziera, të papërpunuara. “Edhe kur nuk e kam shkruar vetë, mundohem të lidhem emocionalisht me këngën, ta ndiej çdo fjalë, çdo notë, të jem e dashuruar me këngën në atë moment. Dhe kështu ndodhi. Ishte personale. Sepse ishte debutimi im në SHBA, dhe ta bëja këtë me Diane, ishte gjithçka për mua. Ajo besoi tek unë. Dhe ma tha: ‘Besoj tek ti.’ Nuk është e lehtë të vish nga Shqipëria dhe të ndërtosh një karrierë në Amerikë. Por të kesh Diane përballë dhe ajo të të thotë: ‘Ti do ja dalësh dhe unë do të ndihmoj,’… është e pabesueshme.”

Gjatë intervistës, Warren e thekson disa herë: Arilena nuk mund të mbetet në Shqipëri nëse do të përfitojë realisht nga suksesi i “Weightless,” që tashmë ka filluar të marrë vëmendje pozitive në SHBA. “Njerëzit këtu e kanë dëgjuar dhe thonë: ‘Çfarë kënge e jashtëzakonshme! Kush është kjo vajzë?’ Dhe të gjithë mendojnë se kjo këngë duhet të bëhet hit i madh. Por që kjo të ndodhë, duhet të jetë këtu. Duhet të vijë. Duhet të jetë prezent fizikisht. Kjo është e rëndësishme.”

Arilena buzëqesh dhe rrëfen: “Diane më premtoi se pas ‘Weightless’, do të më shkruajë një EP. Dhe kjo është arsyeja pse po vij në L.A. shumë shpejt për ta bërë realitet.”

“Për të qenë e sinqertë, zakonisht preferoj të të jap këngë gati, sesa të bashkë-shkruaj,” i thotë Warren, ndërsa takimi virtual i tyre po i afrohet fundit.

“Diane e njeh potencialin tim,” i përgjigjet Arilena, duke ngritur gishtin e madh lart. “Mund të bëjë ç’të dojë. Dhe unë do e pranoj me kënaqësi.”