Sulmuesi i Liverpulit, Diogo Jota, ka humbur jetën në një aksident me makinë. Raportohet se Diogo Jota po udhëtonte me makinë së bashku me vëllain e tij Andre, gjithashtu një futbollist 26-vjeçar, kur automjeti doli nga rruga.
Aksidenti tragjik ndodhi në autostradën A-52 në provincën e Zamorës. Lajmi i rëndë vjen vetëm 2 javë pasi 28-vjeçari u martua me të dashurën e tij prej shumë kohësh, Rute Cardoso, në Porto.
Sipas policisë spanjolle, portugezi po parakalonte një makinë tjetër në autostradën A-52 , pranë rajonit Zamora të Sanabrias, kur goma e Lamborghini-t shpërtheu. Automjeti luksoz ku udhëtonin dy vëllezërit doli nga rruga dhe mori menjëherë flakë.
“Informacioni që kemi deri më tani është se makina, e cila ishte një Lamborghini, u përfshi në një aksident rrugor dhe doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një gome gjatë parakalimit. Ndodhi në orët e para të mëngjesit, ora lokale 00:30, në komunën e Cernadillës në provincën e Zamorës. Makina u përfshi nga flakët dhe dy personat në të humbën jetën.”
Pyetjes lidhur me identitetin e personave të përfshirë në aksident, Garda Civile iu përgjigj: “Lojtari dhe vëllai i tij, Andre Silva”.