Sulmuesi i Liverpool-it Diego Jota ndërroi jetë tragjikisht në një aksident rrugor, së bashku me të vëllanë e tij, Andre Silva. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të 3 korrikut në autostradën A-52, në Zamora të Spanjës, kur makina luksoze e vëllezërve, një Lamborghini, humbi kontrollin pas shpërthimit të gomës dhe mori flakë.
Ishte një lajm që askush nuk donte ta besonte. Vetëm pak ditë më parë, Diogo ndante në rrjete sociale kujtime nga martesa e tij me partneren prej shumë vitesh, Rute Cardoso. “Një ditë që nuk do ta harroj kurrë”, shkruante ai, teksa postonte video dhe foto me tre fëmijët e tyre: Denis (2021), Duarte (2023) dhe vajzën e vogël të lindur këtë vit, emri i së cilës nuk është bërë ende publik.
Në fushë, viti 2024-25 kishte qenë ndër më të suksesshmit për të. Me Liverpool-in fitoi Premier Ligën, ndërsa me kombëtaren e Portugalisë ngriti trofeun e Ligës së Kombeve, një arritje që e konsideronte si "rezultat të jashtëzakonshëm". Në një intervistë të fundit për kanalet zyrtare të Liverpool-it, ai reflektonte me mirënjohje për gjithçka kishte arritur:
“Jam djalë nga Gondomar. Doja vetëm të luaja në Premier Ligë, por nuk e besoja se do e fitoja ndonjëherë. Dhe pastaj erdhi Liverpool... dhe ëndrra u bë realitet.”
Për Liverpool-in, ai kishte realizuar 65 gola dhe kishte dhënë 26 asiste në 182 paraqitje që nga viti 2020, kur u transferua nga Wolverhampton për 44.7 milionë euro. Jota kishte fituar gjithçka që mund të ëndërronte një djalë që rritej me topin nën krah. Por ai nuk ishte thjesht një lojtar – ishte një baba i përkushtuar, një bashkëshort i dashur dhe një vëlla i pandashëm.
Aksidenti tragjik ka lënë një boshllëk të thellë në zemrat e fansave, të shokëve të skuadrës dhe të gjithë komunitetit futbollistik. Liverpool, Federata Portugeze e Futbollit dhe klube të panumërta kanë reaguar me mesazhe ngushëllimi. Por fjalët janë të pakta për të zbutur një humbje kaq të papritur.
Në një jetë ku çdo gjë po dukej e përkryer – suksesi, dashuria, familja – fati shkroi një kapitull të pashpjegueshëm. Viti 2024 nisi si një ëndërr për Diogo Jotën… dhe përfundoi si një makth që do të lërë gjurmë të pashlyeshme.