Futbollisti i Liverpool-it dhe i përfaqësueses portugeze, Diogo Jota, ka ndërruar jetë mbrëmjen e kaluar në një aksident rrugor tragjik në provincën e Zamorës, në Spanjë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë komunës Palacios de Sanabria, kur automjeti luksoz me të cilin po udhëtonin Jota dhe vëllai i tij Andre Silva, gjithashtu futbollist profesionist me ekipin Penafiel, doli nga rruga pas një shpërthimi të gomës gjatë një tentative për parakalim. Sipas raportimeve të zamora24horas, makina mori flakë menjëherë pas përplasjes dhe flakët u përhapën me shpejtësi në bimësinë përreth. Dëshmitarët që telefonuan shërbimet e emergjencës në 112 konfirmuan se gjithçka ndodhi në pak sekonda, duke mos lënë asnjë mundësi shpëtimi.

Lajmi tronditës vjen vetëm pak ditë pas dasmës së Jotës me partneren e tij prej vitesh, Rute Cardoso, me të cilën ndante një familje të bukur me tre fëmijë të vegjël: Denis (i lindur në 2021), Duarte (2023) dhe një vajzë të lindur këtë vit, emri i së cilës nuk është bërë ende publik. Më 22 qershor, çifti kishte kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni të ëmbël në Porto, të dokumentuar nga vetë Diogo përmes fotove dhe videove në rrjetet sociale, duke e quajtur “një ditë që nuk do ta harroj kurrë”.

Jota ndodhej me pushime përpara nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri. Vdekja e tij e parakohshme në moshën 28-vjeçare ka sjellë një tronditje të thellë për komunitetin e futbollit, në Portugali, Angli dhe më gjerë. Liverpool, ish-klubet e tij dhe mijëra tifozë kanë shprehur ngushëllime të thella për një humbje që nuk preku vetëm fushën, por edhe zemrat e miliona njerëzve që e njihnin si një njeri të përulur, familjar dhe luftarak.