Fero është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për kryerjen e tri veprave penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arbenita Ismajli.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar Paparaci, Fero e ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme ish-bashkëshorten e tij.
Fero dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të ngacmimit ndaj modeles. Ai thuhet se në mënyrë të vazhdueshme vazhdueshme e ka ngacmuar me çdo lloj sjelljeje të padëshiruar verbale dhe fizike. Fero thuhet se e ka puthur kundër vullnetetit të saj ish-bashkëshorten, duke iu drejtuar me fjalët se “ti je gruja jeme unë kam të drejt me flejt me ty”.
Sipas Prokurorisë, Fero e ka kërcënuar bashkëshorten e tij me fjalët “ki me ma ni zonin… të vraj, e ta nxjerri shpirtin”.
Pas publikimit të aktakuzës, ka reaguar edhe avokatja mbrojtëse e Feros.
Sipas njoftimit të bërë nga përfaqësuesja ligjore e artistit, seanca e datës 25 qershor 2025 ishte zhvilluar me dyer të mbyllura, dhe çdo publikim i materialeve apo të dhënave nga ajo seancë përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe të parimeve të një procesi të drejtë gjyqësor.
Ajo theksoi se aktakuza ende nuk ka marrë formë të prerë, pasi nuk është konfirmuar nga gjykata, dhe publikimi i saj në këtë fazë është i papranueshëm. Avokatja e konsideron këtë si një përpjekje për manipulim të opinionit publik dhe devijim nga e vërteta, duke shtuar se pala tjetër në këtë proces është po ashtu objekt i ndjekjes penale për çështje të tjera, me aktakuza të ngritura nga e njëjta prokurori.
Në deklaratën e saj, avokatja nënvizon se klienti i saj është i përkushtuar në një betejë jo vetëm ligjore, por edhe personale për të drejtën e kontaktit me vajzën e tij, duke e cilësuar këtë si një luftë për një lidhje të shenjtë mes prindit dhe fëmijës.
“Zëri i tij nuk do të heshtë. Kujtimi i tij nuk do të fshihet. Ai do të vazhdojë të kërkojë të bijën derisa ajo derë të hapet, derisa ai përqafim të ndodhë,” thuhet në reagimin e fuqishëm të mbrojtjes.