Ditët e fundit, disa portale ndezën alarmin për një ndarje të mundshme mes aktorit të njohur Olsi Bylyku dhe partneres së tij, gazetares Denada Lura. Shkak për këto spekulime u bë një “detaj” virtual, pretendohej se çifti nuk ndiqej më në Instagram.

Një kontroll i thjeshtë tregon se Olsi ndjek ende Denadën në Instagram, ndërsa profili i saj është privat dhe jo menjëherë i identifikueshëm, çka ndoshta ka krijuar iluzionin e një “unfollow-i”.

Dhe ndërsa interneti kishte nisur të fliste me siguri për ndarje, Olsi vendosi të qartësojë gjithçka me humor. Në një story të postuar në Instagram, ai shfaqet pranë partneres së tij. Të dy me atlete të njëjta, këmbët e kryqëzuara mbi njëra-tjetrën, një moment i thjeshtë, por mjaftueshëm i qartë për të thënë: “Jemi bashkë, jemi mirë, faleminderit për shqetësimin!”

Në sfond, në ekranin e televizorit, shihet një foto e edituar me lajmin e “ndarjes” së tyre, një montazh që, si duket, Olsi e ka krijuar vetë për të ironizuar titujt bombastikë të disa faqeve online.

Postimi mbyllet me një emoji që qesh me lot, si për të thënë:
"Shumë zhurmë… për asgjë!”