Nëse vetëm mendimi për të kaluar me gisht mbi qindra mesazhe të pashkruara ju shkakton stres, WhatsApp sapo ka nisur testimin e një opsioni që mund të ndryshojë përfundimisht mënyrën se si i përjetojmë grupet dhe bisedat kaotike: Messages Summaries (në shqip, “Përmbledhjet e Mesazheve”).

Bëhet fjalë për një funksionalitet të ri të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, i cili është në gjendje të përmbledhë në mënyrë të shpejtë dhe të qartë bisedat që keni humbur. Nga dhjetëra deri në qindra mesazhe, gjithçka do të reduktohet në një listë të përmbledhur me pikat kyçe të diskutimit ideale për grupet me familjarë, miq, organizime festash, dhurata, debate të zjarrta dhe meme që s’kanë të sosur.

“Jemi të lumtur të prezantojmë Messages Summaries, një opsion i ri që përdor Meta AI për të përmbledhur në mënyrë private dhe të shpejtë mesazhet e pashkruara në një bisedë, në mënyrë që të kuptoni menjëherë çfarë po ndodh, pa qenë nevoja të lexoni gjithçka një nga një,” – shkruhet në blogun zyrtar të WhatsApp.

Si funksionon?
Kur hapni një bisedë me shumë mesazhe të pashkruara, në pjesën e sipërme do të shfaqet një njoftim me numrin e tyre. Me një klik, Meta AI do të krijojë automatikisht një listë të thjeshtë me temat më të diskutuara në atë chat. E gjitha kjo bëhet lokalisht në pajisjen tuaj, çka do të thotë se as Meta, as WhatsApp nuk kanë akses në përmbajtjen e bisedës suaj apo në përmbledhjen e krijuar, privatësia mbetet e paprekur.

Kur do të jetë e disponueshme?
Aktualisht opsioni është në fazë testimi vetëm në SHBA dhe në gjuhën angleze. Funksioni do të jetë i çaktivizuar nga vetë fillimi, por mund ta aktivizoni lehtësisht nga cilësimet e aplikacionit. Nuk ka ende një datë zyrtare për lançimin në Shqipëri apo në Evropë, por WhatsApp ka konfirmuar se do ta zgjerojë në të gjithë botën gjatë vitit.