Nga Vogue
Përktheu dhe përshtati: Revista Class
Nëse kaloni shumë kohë në TikTok, ndoshta ju ka rënë në sy termi “fytyra e kortizolit” apo “kokteji i kortizolit”. Karakterizuar nga fryrje dhe enjtje në fytyrë dhe qafë, kjo “fytyrë stresi” është kthyer në një fenomen viral. Kortizoli, i quajtur ndryshe hormoni i stresit, prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore kur përballemi me situata të rrezikshme apo stresuese. Ai është jetik për mbijetesën, pasi ndihmon në rregullimin e sistemit imunitar, sheqerit në gjak dhe tensionit të gjakut.
Por kur prodhohet në tepri dhe për një kohë të gjatë, kortizoli mund të çrregullojë sistemin limfatik, duke shkaktuar fryrje të syve, faqeve dhe nofullës. Mjekët theksojnë se këto shenja mund të lidhen edhe me përdorimin e steroideve ose me sindromën e Cushing – një sëmundje shumë e rrallë.
Kortizoli i lartë kronik mban trupin në gjendje “lufto ose ik”, duke ndikuar në sistemin imunitar, mikrobiomën e zorrëve dhe shëndetin mendor. Pasojat? Lodhje, ankth, probleme me gjumin, shtim në peshë, lëkurë të përkeqësuar, mjegull mendore dhe humor të paqëndrueshëm.
Lajmi i mirë? Nuk mund të eliminojmë stresin, por mund ta menaxhojmë, përmes gjumit cilësor, meditimit, terapisë, aktivitetit fizik dhe sigurisht, dietës. Më poshtë janë 10 ushqime që ndihmojnë në uljen natyrale të kortizolit, duke i bërë mirë jo vetëm stresit, por edhe humorit, lëkurës dhe zorrëve tuaja.
1. Perimet me gjethe jeshile
Spinaqi, rukola, lakra jeshile – janë të pasura me folate dhe antioksidantë që qetësojnë trupin dhe përmirësojnë shëndetin e zorrëve, duke ndikuar pozitivisht te serotonina dhe rrjedhimisht, ulja e kortizolit.
2. Çokollata e zezë
Nëse ka ndonjë justifikim për të ngrënë çokollatë, ja ku është: flavonoidët në çokollatën me mbi 70% kakao ndihmojnë në balancimin e përgjigjes së stresit. Plus, shumë herë një kafshatë e vogël e saj përmirëson menjëherë humorin.
3. Çaji jeshil
I mbushur me L-theanine (aminoacidi i relaksimit), çaji jeshil qetëson sistemin nervor pa e ulur energjinë. Pini atë në formë tradicionale, matcha ose shtojeni në smoothie dhe embëlsira.
4. Salmoni
Mbret i acideve yndyrore omega-3, salmoni (dhe peshq të tjerë si skumbria) ndihmon në reduktimin e inflamacionit dhe uljen e kortizolit në situata stresuese. Lëkura juaj do t’ju falënderojë gjithashtu.
5. Avokado
Avokado është një superfrut i pasur me magnez dhe kalium, dy minerale anti-stres. Kombinojeni me vezë për mëngjesin ideal të një dite të balancuar.
6. Bishtajoret
Kikirikët, thjerrëzat, fasulet dhe bizelet janë të mbushura me fibra, vitamina B dhe magnez. Të gjitha këto mbështesin sistemin nervor dhe ekuilibrin e sheqerit në gjak dy elementë kyç në luftën kundër stresit.
7. Frutat e pyllit
Boronicat, mjedrat, luleshtrydhet janë si “ushtri e vogël” kundër radikaleve të lira. Ato ndihmojnë në reduktimin e stresit oksidativ dhe rrjedhimisht të kortizolit.
8. Arrat
Bajamet, arrat, lajthitë dhe arre Brazili janë snack-i perfekt anti-stres. Të pasura me yndyra të mira, magnez dhe antioksidantë, ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të hormoneve.
9. Vezët
Burim i shkëlqyer proteinash, vezët përmbajnë kolinë, një nutrient i rëndësishëm për funksionin e trurit dhe mirëqenien emocionale. Një mëngjes me vezë është receta më e thjeshtë për një fillim të qetë të ditës.
10. Farat chia
Të vogla por të fuqishme, farat chia janë të pasura me omega-3 që ulin inflamacionin dhe nxisin ndjesinë e qetësisë. Përdorini në puding, smoothie ose mousse çokollate të shëndetshëm.